Bota Botë e Çuditshme

Tërmeti në itali nxjerr ‘në dritë’ një histori të trishtë njerëzore!

Ditën e djeshme u dridh toka në Italinë qendrore. Një tërmet me magnitudë 5.7 Rihter u regjistrua nga Instituti Kombëtar i Gjeofizikës në orën 07:07, në brigjet e zonës Marke-Pezaro. Epiqendra ishte në thellësinë 7.6 kilometra dhe u ndje në zona të ndryshme të Italisë Qendrore, nga Emilia Romanja, në Umbria e gjithashtu në Romë. Lëkundja u pasua nga të tjera, më e forta prej tyre me magnitudë 4.

Ndërkaq, ky tërmet ka nxjerr në dritë një histori të trishtë njerëzore. Një vajzë menjëherë pas tërmetit telefonoi nënën e saj që jetonte në Ankona për ta pyetur nëse ishte mirë, apo nëse kishte pësuar dëmtime nga tërmeti, por nuk mori asnjë përgjigje. Kur pa se e ëma nuk po përgjigjej, vajza filloi që të shqetësohej.

Në atë moment ajo vendosi të telefononte 112, e cila nisi një ambulancë në vendin ku banonte e moshuara dhe zbuloi ngjarjen e trishtë. Nëna kishte të paktën dy muaj që kishte ndërruar jetë. Trupi i 78-vjeçares ishte në gjendje të avancuar dekompozimi. Mjeku ligjor që ndërhyri në vend, hodhi hipotezën se vdekja kishte ndodhur rreth 2 muaj më parë. Askush në këto javë të gjata nuk e kishte kërkuar gruan apo nuk e ka vënë re mungesën e saj.