Aktualitet

Tërmeti në Pukë, dëmtime në disa pallate!

Në Pukë u bë verifikimi i dëmeve të tërmetit të mbrëmshëm, në orën 22:37 minuta me magnitudë 4.7 i shkallës Rihter, në thellësinë 2 km, me epiqendër në Fushë-Arrëz. Fatmirësisht, nuk raportohen persona të lënduar, por ka dëme materiale.

Përgjegjësi i Sektorit të Emergjencave në Bashkinë Pukë, Behar Ademi:

Në bllokun e 5 pallateve mbi muzeun “Migjeni” ka plasaritje të mureve të jashtëm, që paraqesin rrezikshmëri të lartë për banorët, kërkohet njësi e specializuar për përcaktimin e shkallës së rrezikshmërisë.  Ka rreth 25 oxhaqe të dëmtuar, 10 prej tyre dolën jashtë funksioni. 50 m2  çati me tjegull e dëmtuar, në dy blloqe pallatesh.

Spitali bashkiak “Elez Selimi” Pukë pësoi çedime dhe plasaritje.

Me plasaritje muresh, kemi 5 banesa në qytetin Pukë, 4 në Gjegjan dhe 3 në njësinë administrative Luf-Qerret. Që në orët e para të mëngjesit u morën masa për eleminimin e rrezikut me heqjen e tullave të oxhaqeve të shembur.

 

Lëkundje të tokës regjistrohen herë pas here në vendin tonë, por padyshim tërmeti më shkatërrimtar i viteve të fundit mbetet ai i 26 nëntorit 2019, me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter. Qarku i Durrësit ishte ndër më të goditurit, si dhe Thumana e Fushë-Krujës, Laçi, Lezha e Tirana. 51 persona humbën jetën e qindra vetë mbetën pa banesa. Por gradualisht, me procesin e rindërtimit, vijon sistemimi i atyre që humbën shtëpitë.

Mes të rindërtuarave janë edhe banesat në zonën e Kurbinit, për të cilat ndihmoi shteti turk e të hënën, aty do të shkojë presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili në fillimjavë viziton vendin tonë e në axhendë ka edhe një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë.