Aktualitet

Terrorizoi banorët e Kamzës, policia i jep fund arratisë së autorit!

Qëlloi në drejtim të disa automjeteve të parkuara në Kamzë, duke terrorizuar banorët, uniformat blu identifikuan dhe prangosën autorin e dyshuar. Në kuadër të operacionit të koduar “Blue Smart”, policia njofton arrestimin e një 39-vjeçari, i cili qarkullonte i armatosur e ishte në gjendje të dehur kur mbrëmë hapi zjarr. Gjithashtu, iu sekuestruan një pistoletë e municion luftarak. Arrestimi u bë nga forcat e Komisariatit nr.5.

Njoftimi zyrtar:

Kamzë, Tiranë/ Qarkullonte me armë zjarri në automjet, kapet dhe vihet në pranga 39-vjeçari. Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë dhe municion luftarak.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në kuadër të kontrolleve intensive të zhvilluara gjatë orëve të vona të mbrëmjes së djeshme dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm, me qëllim kapjen e personit që qëlloi me armë zjarri, në drejtim të disa automjeteve të parkuara, mbështetur dhe nga inteligjenca informative se një shtetas qarkullonte me armë zjarri në automjet, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Blue Smart”.

Si rezultat i këtij operacioni, u bllokua automjeti me të cilin qarkullonte 39-vjeçari dhe gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi, shërbimet e Policisë i gjetën dhe i sekuestruan një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.

Në kuadër të operacionit “Blue Smart”, shërbimet e Policisë i kanë kryer edhe testin e alkoolit, drejtuesit të automjetit dhe rezultoi se 39-vjeçari e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur, në masën 0.564 ml/g. Në përfundim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr.5 arrestuan në flagrancë shtetasin Fatmir Musteqja, 39 vjeç, banues në Kamzë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.