Aktualitet

Testi i Matematikës, ulet kufiri minimal i pikëve për çdo notë!

Pas protestave të maturantëve, iu pranohet kërkesa për uljen e kufirit minimal të pikëve. Kjo u bë e ditur sot nga Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, në një reagim me video-mesazh, në lidhje me shqetësimin e maturantëve për testin e Matematikës.

Nisur nga shqetësimet e maturantëve, mësuesve, prindërve dhe pa dyshim duke konsideruar situatën e një viti jo normal e të vështirë të pandemisë, ku pavarësisht se maturantët në të gjithë vendin kanë qenë çdo ditë në mësim në shkollë, përveç 10 bashkive me risk të lartë ku për 6 javë mësimi u zhvillua online, kemi vendosur të plotësojmë kërkesën e maturantëve për të ulur kufirin minimal të pikëve për çdo notë.

Siç është bërë e ditur më herët, menjëherë pas provimit të Matematikës, Ministria e Arsimit ka ngritur grupe pune të pavarura, me ekspertë të fushës së Matematikës, mësues me përvojë dhe maturantë, të cilët kanë analizuar në detaje e vlerësuar me shumë vëmendje çdo pyetje në test, përputhshmërinë me programin, saktësinë shkencore dhe nivelin e vështirësisë.

Pas përfundimit të procesit të Maturës Shtetërore 2021, MASR do të bëjë një analizë të thellë, me qëllim identifikimin e të gjitha problematikave të mundshme dhe rishikimin e plotë të të gjithë procesit të Maturës, akteve rregullatore për këtë proces dhe administrimin e tij.

Ministrja Kushi iu uroi të gjithë maturantëve shumë suksese në provimin me Zgjedhje të ditës së nesërme!

Por protestat e maturantëve nuk ndalen dhe disa prej tyre po qëndrojnë para Ministrisë së Arsimit duke bllokuar Rrugën e Durrësit!