Në nisje të muajit të ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit, kryeministri Edi Rama iu drejtohet me një thirrje të gjitha grave e vajzave, që të kryejnë mamografinë. Në një postim, Rama rikujton rëndësinë e fushatës së përvitshme të Tetorit Rozë, duke i inkurajuar gratë dhe vajzat që të marrin kohë për shëndetin e tyre. Kryeministri thekson mundësinë e kryerjes së mamografisë falas në poliklinikat e spitalet rajonale në të gjithë vendin, si pjesë e kësaj nisme për parandalimin e kancerit të gjirit.
Dhe me thirrjen e përvitshme në çdo Tetor Rozë për të gjitha gratë dhe vajzat që të marrin fare pak kohë për t’u kujdesur për veten, duke bërë mamografinë falas në rrjetin e poliklinikave dhe spitaleve rajonale në vend, ju uroj një ditë të mbarë, shkruan shefi i qeverisë në një postim në rrjetet sociale.
Tetori Rozë është Muaji Ndërkombëtar i Ndërgjegjësimit për Luftën kundër Kancerit të Gjirit. Gjatë këtij muaji, organizohen fushata për të inkurajuar gratë që të kryejnë kontrolle të rregullta, si mamografia e që ndihmojnë në zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.
Simboli kryesor i kësaj fushate është shiriti rozë, i cili përfaqëson mbështetjen dhe solidaritetin me të prekurat nga kjo sëmundje, si dhe angazhimin për parandalim e për kujdes të vazhdueshëm shëndetësor.
Qëllimi është që të rritet numri i ekzaminimeve për kapjen e hershme të kancerit dhe për rritjen e mundësive për një shërim të plotë të gruas. Për të rritur ndërgjegjësimin, përgjatë gjithë muajit tetor, organizohen aktivitete të ndryshme, me pjesëmarrjen edhe të politikaneve, artisteve, gazetareve e të tjera grave me ndikim, të cilat japin mesazhe inkurajuese, në mënyrë që kjo nismë të përqafohet nga sa më shumë gra.