Sport

Teuta i merr tre pikë Kastriotit, Erzeni-Rrogozhina ndahen në barazim!

Teuta bën detyrën, fiton 2-0 përballë Kastriotit dhe zhvendos në vendin e fundit Kukësin, që mori vetëm një pikë në sfidën me Bylisin një ditë më parë.

“Djemtë e Detit” regjistruan suksesin e tretë në katër ndeshjet e fundit nën drejtimin e Edi Martinit, rikthimi i të cilit në stol ka pasur inpakt të menjëhershëm sa u përket rezultateve.

Në sfidën me ekipin krutan për javën e 16-të shënuan Lorenco Vila në fundin e pjesës së parë dhe Oshafi në të 68-tën.

Për ekipin krutan ishte disfata e dytë radhazi, që do të thotë se diferenca me Teutën dhe Kukësin, që mbajnë dy pozicionet e fundit, shkojnë në 1 dhe 2 pikë.

Erzeni merr një pikë me shumë vlerë në fushën e Egnatias në javën e 16-të të Superiore, me sfidën mes tyre të mbyllur 1-1.

Gjatë pjesës së parë, vendësit ishin më kërkues në lojën e tyre, por u mungoi saktësia në finalizim, siç ishte episodi i minutës së 27-të, me Fangajn që nuk arrin të godasë.

Gjithsesi, pjesa e dytë ofron më shumë emocione, me gola të shënuar dhe të anuluar.

Në minutën e 51-të Egnatia fiton një 11-metërsh (pengohet Musta), që shndërrohet në gol nga Jackson, 1-0.

E shpejtë kundërpërgjigjja e Erzenit, që gjen pas tri minutash golin me Sadikin, që fiton duelin ajror dhe shtyn topin drejt rrjetës.

Loja ndizet më shumë me aksione nga ta dyja skuadrat. Në të 61-tën shënon sërish Jackson, por goli anulohet nga sistemi VAR për ndërhyrje të gabuar në ndërtimin e aksionit.

Shtatë minuta më vonë i anulohet goli edhe Notatos së Erzenit, sërish pas ndërhyrjes së sistemit VAR. Në minutat në vazhdim, pavarësisht përpjekjeve të vendësve për të marrë fitoren nuk u shënuan gola të tjerë, me rezultatit përfundimtar që mbeti 1-1.

Egnatia shkon në kuotën e 25 pikëve dhe ruan vendin e tretë, ndërsa Erzeni, me 23 pikë, mbetet në vendin e gjashtë.