Rajoni

Thaçi në gjykatë për krime lufte, Rama: Dikur Biden e quante George Washington! A është normale kjo?

Kryeministri Edi Rama i ka dalë sërish në mbrojtje ish Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili del të hënën në gjyqin e hagës për akuzat e krimeve të luftës. Rama kujton se vetë presidenti aktual i SHBA, Joe Biden e cilësoi Thacin si ‘George ëashington’ i Kosovës dhe ngre pikëpyetjen nëse konsiderohen kriminelë ata që e cojnë popullin drejt lirisë.

“A duhet të konsiderohen kriminelë ata që e çojnë popullin e tyre drejt lirisë kundër regjimeve brutale? Është një mendim shqetësues, veçanërisht duke pasur parasysh se njeriu në këtë foto dikur u përshëndet si George ëashington i Kosovës nga vetë Joe Biden!” – shkroi Rama në Twitter.

Më 3 prill do të nisë gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Një gjykatë speciale e Kosovës e ngritur në Hagë e paditi Thaçin në nëntor 2020 për 10 akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke përfshirë persekutimin, vrasjen, torturën dhe zhdukjen me forcë të njerëzve ndër të tjera gjatë kryengritjes.

Thaçi, 54 vjeç, dha dorëheqjen si president menjëherë pas kësaj dhe u transferua në paraburgim në Hagë. Tre nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, duke përfshirë dy ish-kryetarë të parlamentit, përballen me të njëjtat akuza si ish-kreu i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat thuhet se janë kryer kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999. Ata janë deklaruar të pafajshëm për këto akuza. Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së ka hasur në kundërshtime të shumta në Kosovë, mbi bazat se ky proces është i njëanshëm, pasi që në të nuk përfshihen krimet e kryera nga serbët në territorin e Kosovës.