Bota

Thatësira më e madhe në 70 vite, Italia shpall gjendjen e jashtëzakonshme në pesë rajone

Italia ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për thatësirën në pesë rajone, konkretisht Emilia Romagna, Friuli Venezia Giulia, Piemonte, Veneto e Lombardia- thatësira më e madhe në 70 vite, shkruan BBC.

Thatësira kërcënon më shumë se 30% të prodhimit bujqësor të Italisë, sipas sindikatës bujqësore Coldiretti. Moti i nxehtë dhe reshjet e pakta gjatë dimrit dhe pranverës kanë shtuar mungesën e ujit në Italinë veriore.

“Po” është lumi më i gjatë i Italisë, që rrjedh drejt lindjes për më shumë se 650 km. Fermerët në Luginën “Po” thonë se uji i kripur i detit po depërton tani në lumë, duke shkatërruar të korrat.

Kryeministri Mario Draghi vizitoi të hënën vargmalin Dolomites ku 13 persona janë zhdukur pas shembjes së një akullnaje. Ai tha se fatkeqësia ishte pa dyshim e lidhur me ngrohjen globale.

Të paktën shtatë persona vdiqën dhe tetë u lënduan në malin Marmolada. Për kërkimin e të zhdukurve po përdorën dronët e pajisur me imazhe termike.

Ndërkaq e kundërta ndodh në Australi.

Disa pjesë të Sidneit janë përballur me reshje të mëdha të shiut në katër ditët e fundit.

Rrugët janë bllokuar dhe disa shtëpi janë përmbytur, teksa mijëra persona kanë mbetur pa energji elektrike.

Vërshimet në mbarë Australinë – që janë nxitur nga fenomeni i motit i njohur si La Niña – kanë vrarë mbi 20 persona gjatë këtij viti.

Mbi 100 evakuime janë urdhëruar në mbarë Sidnejin për shkak të emergjencës aktuale me vërshime.

Edhe qytetarët në 50 zona të tjera janë paralajmëruar që të përgatiten që të evakuohen, për shkak se disa lumenj të mëdhenj janë vërshuar.

Reshje të shiut pritet të ketë edhe të martën në Sidnej, por po ashtu është parashikuar që të ketë erëra të fuqishme, që rrisin rrezikun e rrëzimit të drunjve dhe shtyllave elektrike.