Dëgjo live TOP ALBANIA RADIO
Dëgjo live TOP GOLD RADIO
Dëgjo live MY MUSIC RADIO
Voto në THE TOP LIST
Film & Tv

“The Dissident”, Hijet e vrasjes së Jamal Kashoggi-t, gazetarit që ekspozoi Arabinë Saudite… a ndryshoi diçka në botë?! Kritikë.

Në 2 tetor të 2018, gazetari i Arabisë Saudite Jamal Khashoggi hyri në ambasadën e vendit të tij në Turqi për të marrë disa dokumenta që i duheshin për t’u martuar me të fejuarën e tij, një aktiviste turke; hyri për të mos dalë kurrë nga aty… Nga hetimet paraprake do të dilte se në ambjentet e ambasadës saudite ai ishte torturuar, vrarë, gjymtuar, madje do të shkohej në hamëndësimin se urdhri për vrasjen kishte motive politike, nga dora e vetë Princit të Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman. Por me çfarë arsye? Çfarë do të shtynte një shtet sado autokrat dhe brutal të kryente këtë krim barbar ditën për diell ndaj një gazetari me famë ndërkombëtare?…

Përgjigjet e kësaj pyetje, në mënyrë konçize mundohet ti japë dokumentari “The Dissident” në detaje që edhe për ata që e kanë ndjekur historinë që tronditi botën 3 vite më parë do të duken të pabesueshme dhe shokuese. Për të bërë shikuesin të kuptojë asgjesimin e gazetarit, Bryan Fogel (regjisori dhe skenaristi i “The Dissdent”)  tregon jetën e Kashoggit që nga koha kur si gazetar, korrespodent dhe opinionist,  ai u kthye në fytyrën e gazetarisë saudite, njohës i mirë i korrupsionit dhe autokracisë të ambiciozit Mohammed bin Salman, i njohur edhe si MBS dhe dëshirës së palëkundur të këtij të fundit për të mbajtur pushtetin me të gjitha mënyrat. Fillimisht Khashoggi në shkrimet dhe intervistat e tij vlerësonte MBS për reformat progresiste dhe dëshirën, në dukje, për ta kthyer vendin në më ‘demokratik’ e të hapur. Por më vonë ishte kritik ndaj masave që u morën nga regjimi për të shtypur fjalën e lirë. Me fundin e gjysmë revolucionit të pranverës arabe, Khashoggi u bë një nga kritikët më të mëdhenj të qeverisë, sidomos në lidhjet e saj me Presidentin Amerikan Donald Trump. Jetesa e tij në Arabinë Saudite u bë aq e vështirë sa ai vendos të lërë familjen pas e të emigrojë në SHBA ku nis të punojë si korrespodent për gazetën Washington Post.

Edhe pse e la vendin, Khashoggi nuk rreshti së luftuari për të, siç zbulojmë nga një nga protagonistët e filmit, Omar Abdulaziz, një disident, i cili përmes tweet-eve të tij luftonte publikisht qeverinë saudite nga Kanadaja. Abdulaziz krijoi një ‘ushtri virtuale’ për të sjellë në vëmendje të opinionit  publik perendimor abuzimet dhe autokracinë e MBS. (Fakt interesant. Twitteri përdoret nga 80% e njerzve në Arabinë Saudite si një formë komunikimi e pa kontrolluar nga qeveria). Khashoggi jo vetëm ishte këshillues i kësaj ushtrie por edhe financues i saj duke shtuar kështu inatin e të pushtetshmëve në vendin e tij. Në një rrëfim rrënqethës, Abdulaziz tregon se si në një moment zyrtarë të rëndësishëm të qeverisë shkuan në Kanada bashkë me njerin nga vëllezrit për ta bindur të kthehet në atdhe, që në fakt ishte një plan për ta asgjesuar, njësoj si pak kohë më vonë do të bënin me gazetarin.

Edhe pse fundi i historisë dihet, Fogel kap me zotësi njerëzoren tek kjo histori në detaje të kthjellëta, me një rezultante prekëse dhe tmerruese njëkohësisht. Dokumentari përfshin elementet e pritshme: Video e kameras së sigurisë, ku Khashoggi duket të hyjë në ambasadën prej së cilës nuk doli më, pamjet e hetimeve të vrasjes ditë më vonë dhe intervistat me hetuesit turq të cilat sugjerojnë dy gjëra me siguri të plotë, e para që Jamal u vra brenda atyre mureve dhe e dyta që MBS kishte dijeni për ngjarjen. Një nga provat më të forta të filmit është transkripti i një bisede mes Khashoggit dhe pengmarrësve të tij. Nga lutjet për mëshirë deri tek diskutimet e tyre se në ç’mënyrë do e presin trupin – shto këtu faktin që duke folur për këtë qeshin dhe bëjnë shaka e bëjnë historinë akoma më të pabesueshme, a thua se është një thriller psikologjik i David Fincher.

Ka raste kur dokumentari i ikën zhanrit të tij, i ndihmuar nga kolona zanore, kthehet në një thriller spiunazhi epik që nuk e ndihmon besueshmërinë e tij. Pavarësisht kësaj filmi është një shembull i fuqishëm i atyre që vazhdojnë të punojnë ende për lirinë e fjalës dhe shtypit me një dedikim puritan në kohë kur kjo është më e kërcënuar se kurrë. Portreti i Jamal Khashoggit tek “The Dissident” është i jashtëzakonshëm, çdo gjë që ai përfaqëson dhe për të cilën dha jetën është pak të thuash frymëzuese.

Një leksion mbi gazetarinë e vërtetë dhe vlerat e saj. Khashoggi dhe trashëgimia e tij do të trazojnë breza. Urojmë edhe në vende si i yni ku parimet shiten kollaj…