Film & Tv Health & Beauty

“The Game Changers” sugjeron të mos hash më mish nëse do të jesh i shëndetshëm. Dokumentar apo teoria konspirative e rradhës? Kritikë.

15 vite më parë nëse do i thoje dikujt fjalët dietë bimore (plant-based) ai apo ajo do të shihte me sytë e zgurdulluar. Kjo edhe sepse termi (plant-based) nuk ekgzistonte. Aq më pak ekgzistonin “Fork over Knives”, Impossible Burgers apo pula që nuk është pulë në KFC. Por tashmë termi jo vetëm që është i dëgjuar por shumë njerëz – nga Mike Tyson tek kolegu yt i punes, xhanëm edhe vjehrra jote po hanë ‘plant – based’ dhe betohen se vetëm kështu kanë ulur kolesterolin, dobësuar ca kile dhe janë ‘rinuar’ disa vite. “The Game Changers” (2019) është një dokumentar që e çon përtej ‘veganizmin’. Me producent një prej kolosëve të Holliwood-it, hiç më pak se James Cameron, ai tregon se të konsumosh ushqime me bazë shtazore pra mish, vezë bulmet dhe peshk mund të dëmtojnë zemrën, shëndetin seksual, performancën atletike duke të të çuar edhe në një vdekje të parakohshme.

Rrëfimtari në film është James Wilks, ish luftëtar i MMA. Ai tregon historinë e tij personale dhe ndikimet e një diete që përfshin mishin dhe bulmetin në krahasim më atë ekskluzivisht bimore. Përgjatë dokumentarit Wilks citon studime të ndryshme, interviston një sërë mjekësh dhe specialistësh dhe bën po ashtu protagonistë jo pak atletë vegan ose vegjetarianë. (edhe pse këto terma nuk përdoren asnjëherë gjatë dokumentarit).

“Veganët dhe vegjetarianët janë të stigmatizuar” – ështe shprehur Wilks në një intervistë për ‘Men’s Health’ – “Ne nuk po i themi njerzve që të bëhen veganë, po u japim fakte, vendimi pastaj u takon atyre”.

Por duket se “The Game Changers” prezanton vetëm njërën anë të fakteve, shpesh nga burime jo të sprovuara, duke u marrë gjatë me studime minore e me fjali që janë ç’orientuese.

1.          Përfitimet e mos konsumimit të mishit dhe nënprodukteve të tij janë tashmë të mirë-provuara?!

Wilks rrëfen se studime tregojnë luftëtarët e Romës së lashtë – Gladiatorët e famshëm – nuk hanin mish. Por në fakt nuk ka një studim për këtë. Kjo është një sintezë e shkurtër e Andrew Curry, shkrimtar për revistën shkencore Archeology, publikuar nga Instituti Amerikan i Arkeologjisë. Curry, në Universitetin Mjekësor të Vienës, duke mbajtur një kafkë të një gladiatori në duar thotë se ata “konsumonin një dietë vegjetariane, të pasur në karbohidrate, me ndonjë suplement calciumi”. Ka kërkime që sugjerojnë pikërisht këtë, por nuk ka patur asnjëherë një studim që të pohojë pa më të voglin dyshim se Gladiatorët nuk hanin mish, përkundrazi.

Janë pikërisht këto minuta fillimi, kur një kërkimi i thuhet një studim, që të bëjnë të mendosh se dokumentari është sugjestionues.

Si ka mundësi që veganizmi të jetë i gabuar?

Problemi me kërkimet është që shpesh i prezantohen publikut si sinteza, e duke i hequr kontekstin ato bëhen si postulate të shtrembërta duke përkeqësuar shëndetin e njerzve edhe më tej. Po ashtu Wilks është përzgjedhës kur vjen puna e cititimit të studimeve. Në një shembull ai thotë se “Kërkimet sugjerojnë se për shtimin e masës muskulare dhe forcës e rëndësishme është sasia e amino acideve jo prejardhja e tyre; bimore ose shtazore”. ‘Harron’ të shtojë se në të njëjtin studim thuhet edhe se “grupi i vegjetarianëve kanë më pak përqëndrim të kreatinës në muskuj në krahasim me gjithçkangrënësit, çka mund të ndikojë në performancën e tyre”.

Një tjetër ‘fakt’ që jepet si i mirëqënë është se qumështi i lopës mund të rrisë estrogjenin (hormonin femëror) dhe ulë testosteronin (hormonin mashkullor) tek meshkujt. Referenca është tek një studim i 2010 botuar në revistën shkencore Pediatrics International. Shkencëtarët përdorën qumështin e lopëve të mbarsura në një kampion prej 18 personash (7 burra, 6 fëmijë dhe 5 gra). Përfundimi ishte se qumështi reduktonte sekrecionet e testosteronit – jo testosteronin e përgjithshëm – përkohësisht.

Shtatë burra. Përkohësisht.

Wilks vijon se është industria e mishit që ‘mbush’ revistat shkencore me studime të njëanshme, ose duke mos promovuar lajmet e mira për veganët (ose plant-based do thoshte ai) duke krahasuar atë që ndodhte në gjysmën e shekullit të kaluar me Duhanin dhe promovimin e tij si diçka e (pa)dëmshme. Duhani i ri (për ju që besoni tek tezat konspirative dhe jo tek faktet) është Mishi – dhe nënproduktet e tij. Gjithaq ai promovon vazhdimisht një kërkim të mbështetur nga Hass Avocado Board për të mirat e avokados. Nëse do i shkojmë deri në fund tezës konsipartive, pse duhet ti besojmë njërit dhe jo tjetrit…

2. Mishi është si duhani, po aq toksik e vdekjeprurës. Në fakt të gjitha produktet shtazore janë ashtu?!

Shpesh gjatë “The Game Changers” publiku ‘bombardohet’ me terma shkencorë si TMAO, amino – hetereocyclike, hekur heme, neu5gc, endotoksina dhe AGEs. Wilks shpjegon se këto përbërje të produkteve shtazore rrisin rrezikun e inflamacionit që të çojnë më pas në sëmundje të ndryshme, veçanërisht kancer. Problemi është se kërkimet në këtë fushë nuk janë përfundimtare – kanë ende shumë punë për t’u barazuar me studimet që janë kryer për të vërtetuar dëmet e duhanit.

Rreziku që dikush mund të zhvillojë kancerin e kolonit gjatë jetës së tij është tek 5%. Po ashtu kërkimet sugjerojnë se konsumimi i mishit të përpunuar e shton këtë risk

–       shprehet Brian St. Pierre, M.S., R.D., C.S.C.S, Drejtues i ‘Performance Nutrition’ në ‘Precision Nutrition’, një kompani udhëzuese për konsumin e ushqimit në San Antonio Spurs, duke shtuar:

Pra duke ngrënë vetëm 50gr mish të përpunuar në ditë (një hot dog) e shton rrezikun e kancerit të kolonit me 17%. Tingëllon e frikshme, sidoqoftë rritja e riskut është relativ

Në të vërtetë, risku rritet me 1% në total, duke e çuar atë absolut në 6%, kjo nuk do të thotë se rritja nuk është për të mos u konsideruar mirëpo shumë larg dizinformimit të dokumentarit në fjalë. Në fakt kur heq diçka nga konteksti shton mundësinë që publiku të marrë informacionin shabllon e kësisoj të dëmtojë më tej shëndetin e atij që zbaton siç i jepet këshillën e dhënë.

“Edhe pse të dhënat sugjerojnë se niveli kancerogjen i të pirit duhan mund të jetë i ngjashëm me atë të konsumimit të mishit të përpunuar, risku është larg si nata me ditën. Dokumentari nuk përmend faktin se duke e marinuar mishin me erëza apo duke e ngrënë atë me perime risku i HCA bie ndjeshëm, madje nëse balancon siç duhet risku eliminohet tërësisht” – përfundon St. Pierre

3. Dieta është gjithçka?!

The Game Changers promovon një sërë atletësh të cilët kanë ndryshuar dietën e tyre duke ngrënë vetëm ushqime bimore dhe duke shkëlqyer! Scott Jurek, Morgan Mitchell, Patrik Baboumian, Kendrick Farris, Arnold Schwarzenegger, janë disa nga ‘avokatët’ e veganizmit. Pa a janë historitë e tyre frymëzuese apo anekdoda? Ajo çfarë këta atletë bëjnë duke ngrënë vetëm bimë është e jashtëzakonshme, por a ka kjo lidhje vetëm me dietën ushqimore, apo shkon përtej. Në dokumentar tregohen dy eskperiemente me disa atletë. Në njërin tregohet cilësia e gjakut nëse konsumohet dietë shtazore ose bimore, në tjetrin tregohet cilësia e ereksionit gjatë natës në dallimin mes dy dietave. Është i vetmi rast që Wilks sqaron se të dhënat nuk janë përfundimtare, sepse edhe pse në të dyja rastet dieta ‘plant-based’ është shumë më e shëndetshme – variablet për rezultatet janë nga më të ndryshmet (gjumi, forma e muskujve, stresi, stërvitja, niveli i hidratimit, gjëndja emocionale, përdorimi i cigares dhe alkoolit në të shkuarën dhe të tashmen, sa për të përmendur disa, më e rëndësishmja – predispozita genetike!). Kjo vlen edhe për atletët që flasin në dokumentar.

Duhet theksuar se dieta nuk është gjithçka, pavarësisht sa shumë i mëshohet – janë një mori faktorësh që duhen mbajtur në balancë për të patur një jetesë të shëndetshme.

4. A është Soya një e keqe e madhe?!

Wilks arrin të korrigjojë një keqkuptim të madh që është krijuar për konsumimin e sojës – e cila mendohet të rrisë sasinë e hormonit femëror tek meshkujt. Në fillim të viteve 2000 disa kërkime e sugjeronin këtë, por studime të mëtejshme kanë vërtetuar plotësisht se këto të dhëna ishin të gabuara dhe se Soja nuk e ka këtë ndikim, përkundrazi. Si për ironi kjo (nuk) mund të thuhet për të gjitha sugjerimet e dokumentarit për avantazhet e dietës plant – base.

Konkluzioni: Mos mendoni se dieta është gjithçka!

“The Game Changers” sugjeron se e vetmja mënyrë për të patur një jetë të shëndetshme, energjike, duke u ndjerë gjithmonë i ri pavarësisht viteve që ikin është të mos hash më Mish, Peshk, Bulmet! – Kurrë më. Por sa e mundur është kjo? Dhe sa të mira na sjell realisht? Alternativa është – të hash mish, por duke ngrënë po aq në mos më shumë perime dhe fruta. Dhe kjo alternativë është e sprovuar në më shumë studime sesa sugjerimi i dokumentarit. Pavarësisht atyre që e kanë bërë suksesshëm kalimin në dietën vegane – ka shumë më tepër nga ata që hanë gjithçka – me balancë – dhe kanë arritur po aq në mos më shumë.

Zgjidhja do ishte gjithmonë dieta gjithëperfshirëse dhe jo ajo përjashtuese.

Mbase duke shtuar më shumë ushqime me bazë bimore në dietën tonë, eventualisht do të kthehemi në Veganë – por një dokumentar i cili e kthen në fakt ‘që mishi të vdes’ është thjesht e tepërt. Qasja mund të ishte e ndryshme. Nuk ka ansjë institucion të rrespektuar në botë nga OBSH tek agjencitë e vendeve të ndryshme nëpër botë që e thonë këtë, qëndrojini piramidës më poshtë sa të mundeni, dhe nuk ka nevojë për më shumë stres në jetën tuaj…