Celebrities Film & Tv

“The Tale” Shokues, modest dhe triumfant. Kritikë.

A do më lësh me kujtimet e mia.

Ky është ngashërimi i Jennifer (Laura Dern) karshi mamasë së saj (Ellen Burstyn), në një nga momentet kyçe të “The Tale” rrëfenjës së jashtëzakonshme dhe shqetësuese ekranizuar nga Jennifer Fox, bazuar në historinë e saj personale të abuzimit seksual. Kjo copëz informacioni është çelësi i së gjithës sepse thelbi i këtij filmi është kujtesa, aftësia e kësaj të fundit për të rrëshqitur si uji i rrjedhshëm nga duart. Kujtesa ka një aftësi të ri-gatuajë traumën për ta bërë këtë të fundit disi më të kapërdisshme. Siç shkruan autorja amerikane Joan Didiion:

Jemi ne që i tregojmë vetes jetën tonë që të mund ti bëjmë ballë jetës.

(një frazë që përdoret edhe në film në një nga skenat e Jennifer në klasën e saj të fakultetit, aty ku jep mësim). Postulati i “The Tale” është “të gjitha historitë tona kanë rëndësi”. Sepse rrëfimi i një historie qoftë kur ja themi vetes, ose të tretëve mund të shërbejë për mirë ose mund të ketë pasoja ogurzeza. Lojërat që na bën mëndja janë të ngatërruara; çfarë mund të jetë mburojë për një fëmijë të traumatizuar, mund të shkatërrojë një të rritur. Çfarë është fantastike në filmin e parë artistik të Fox (e cila ka bërë disa filma dokumentarë në të shkuarën) është aftësia asaj për të sjellë vizualisht kujtimet dhe eksperiencën e materializuar të një kujtimi. Nëpër filma zakonisht kujtimet janë copa të vendosura në kohën e shkuar e më pas vihet në të tashmen, ama memoria nuk funksionon ashtu, është shumë më e rrëmujshme.

Në film, personazhi kryesor, Jennifer, është gjithashtu një dokumentariste, e gjithë jeta e saj është e rrethuar nga narrativat e të tjerëve. Nëna e saj e telefonon e shqetësuar pasi ka lexuar një letër që Jennifer e kish shkruar kur ishte 13 vjeçe. Edhe pse e ema është në tilt, Jennifer nuk e kupton gjithë këtë hallakamë për një letër, që ajo ja kish shkruar trajnerit të saj të vrapit Bill (Jason Ritter) dhe Mrs. G (Elizabeth Debicki) trajneres së kalërimit. Letra, sidoqoftë, mban detaje të imëta të marrëdhënies së saj (nga mosha 13-15 vjeçe) me 40 vjeçarin Bill, të cilin ajo e konsideron dashurinë e saj të parë. E ëma e saj e moshuar shokohet kur e lexon, nuk ka as idenë më të vogël që e bija ka qënë e abuzuar nga equestratori ku kjo vetë e çoi – diçka që në kujtesën e Jennifer fle komplet ndryshe. Ngjarja në mendjen e saj qëndron si diçka e mrekullueshme.

Pikërisht kjo e vendos “The Tale” në një dritë tjetër – qasja e Fox. Flashback-u i parë i filmit e sheh 15 vjeçaren Jennifer (interpretuar nga Jessica Sarah Flaum) gjatë mësimeve të kalërimit. E siç ndodh kur je duke parë albumet e fotove të fëmijërisë tënde, ajo që në pamje të parë duket një fëmijëri e gëzuar fsheh anë të errëta e të ligështa. Filmi analizon në mënyrë fine dhe elokuente aftësinë e mendjes për të fshirë nga e shkuara çdo traumë, ose akoma më keq rikrijuar një kujtim nga e para me copëza të momenteve të ndryshme për ta kthyer atë nga makth në të ëmbël. Mbas letrës së papërtypshme, protagonistja nis takime me mikeshat e saj të kohës – ata që gjithashtu ishin pjesë e klasave të Mrs. G, tashmë në vitet e saja të fundit (një Frances Conroy që të tremb).

Filmi është një lloj pyetësori i gjatë, jo vetëm nga këndvështrimi i personazhit kryesor por edhe i vetë regjisores. Mënyra se si personazhet shohin direkt në kamera, një kuadër që i ngjason një tabloje rrënqethëse, si fotografitë e albumeve të qysh-kur-it. Përplasja e perspektivave të Jennifer-it në mosha të ndryshme, të Mr. G në mosha atëhere dhe tani, e sigurisht të Bill-it atëhere dhe tani. Dualizimi mes këtyre vetë-ve për të qënë heroi apo viktima e mban filmin në një tension që endet e endet.

“The Tale” është një portretizim fantastik i mënyrës se si pedofilët gatisin terrenin për prenë e tyre, se si testojnë ujin dhe se si tërhiqen në kohë duke e lënë prenë e tyre të mos mendojë siç do të duhej. Skenat seksuale janë drithëruese, regjisorja ka përdorur një dubluese për të treguar në detaje pështirosjen ndaj aktit.

Rrugëtimi i personazhit kryesor nga pika e ‘thirrjes së trurit’ deri tek vendosja e pikave mbi ‘i’ është një aset i mrekullueshëm i “The Tale”.

E ndërsa shumë filma të këtij lloji kanë nevojën e një përfundimi të konfrontimit me një katarsis “The Tale” dëshiron vetëm të jetë një film përshkrues i atyre momenteve të cilat nuk do doje t’ia tregoje as varrit. Jennifer, 45 vjeçe, nuk di a të ndihet e zemëruar me veten, me të ëmën, me abuzuesit e saj, apo me gjithë botën… ama ky gjithashtu nuk është qëllimi i filmit.

Tek “Të përjashtuarit” Samuel Beckett shkruan:

Kujtimet janë vrastare. Ndaj nuk duhet të mendosh për gjërat që i ke të dashura, ose duhet, sepse nëse nuk e bën, je i rrezikuar t’i gjesh në mendjen tënde, çika çika, jo ashtu siç i prisje.

Epilogu i “The Tale” është vrastar. Sepse ballafaqimi i dy personazheve tregon po aq atë që ka humbur sa atë që është fituar.

Ju takon ju ti vini në peshore e të ndani, kush ka më tepër vlerë.