Film & Tv

“The Unforgivable” – Merre me lëng, merre me lëng… Sandra Bullock në (mbase) filmin e saj më të tmerrshëm. Kritikë.

Bazuar në dramën televizive, fituese të disa çmimeve, transmetuar në ITV, shkruar nga Sally Wainwright, Netflix e ka përshtatur në film. Ngjarjen e ka çuar nga Yorkshire në Seattle, duke i ndryshuar edhe titullin si për të krijuar pak amulli me të famshmin e Clint Eastwood (“The Unforgiven”, 1992). Sandra Bullock luan rolin kryesor në filmin e Nora Fingscheidt, Ruth Slater, një grua e cila lirohet nga burgu për sjellje të mirë pasi kishte kaluar 20 vite mbas hekurave për vrasjen gjysmë aksidentale të një polici përmbarimi që po e nxirrte nga shtëpia. Mbas fitimit të lirisë, qëllimi i saj i vetëm është të gjejë motrën e vogël, e cila është adoptuar nga një familje menjëherë mbas ngjarjes.

Bullock është komplet ujë e sapun (me pak filler brenda) dhe e zhytur totalisht në dramën e personazhit – një rol disi qesharak në një film po aq të tillë, diçka që nuk e lejon fytyrën e 1001 roleve të dalë ‘në zë të vet’ me zgjuarsinë dhe karizmën që e bën atë një performuese të shijueshme. Pas daljes nga biruca, ajo vëzhgohet nga afër nga oficeri i lirimit Vincent (Rob Morgan), jeton në një motel lodhur me gra të tjera që ndajnë fatin e saj dhe nis të punojë disa punë – ndër to një fabrikë paketimi peshku ku gjen një mik (Blake – Jon Bernthal. Në përpjekje për të gjetur të motrën kthehet në shtëpinë e para 20 viteve dhe aty takon një avokat korporatash, John Ingram (Vincent D’Onofrio) dhe bashkëshorten e tij (Viola Davis) të cilët do përpiqen ta ndihmojnë për të zgjidhur dramën që e përndjek përtej dy dekadave.

Motra e saj, Katherine (Aisling Franciosi) tashmë adoleshente, ka kujtime të vakëta të Ruth e cila, sidoqoftë, është e vendosur që të rikrijojë atë që ju rrëmbye 20 vite më parë. A do t’ja dalë?

Nuk do donim t’ju tregonim më shumë, sepse nuk është ky qëllimi ynë…

Ama, çfarë ndodh me Netflix-in gjithmonë e më shpesh vitet e fundit është fenomeni “shumë zhurmë për asgjë”. Kompania përdor lojëra algoritmi, me qëllim të vetëm: të streamohet sa më shumë nga përdoruesit, pavarësisht cilësisë së materialit. Seriali krahasuar me filmin është shumë më i mirë, dhe dy aktoret fituese të çmimit Oscar janë komplet të shpenzuara në të.

Historia është e trishtë, ka disa kthesa në histori që duken si përpjekje të kota për të mbledhur në minutat e një filmi artistik atë që seriali ka patur gjithë kohën e nevojshme për ta stër-holluar.

E kuptojmë që është biznes, po mbase disa gjëra do ishte mirë që Netflix-i t’i linte aty ku i gjen.