Film & Tv Lajmet e fundit

‘The Woman in the Window’ një JO-thriller pak psikopatik (Sorry Joni). Kritikë

Amy Adams është aktorja kryesore e thrillerit psikologjik i cili nga traileri duket si Hitchcockian. Por ngjashmëria është vetëm estetike, madje edhe kaq edhe po i japim shumë. Nga mjeshtri i suspansës tek ‘Vertigo’, ‘Psycho’ apo të ngjashmit janë marrë (kopjuar mund të ishte një tjetër folje) vetëm zgjidhjet dhe paralelet që mund të heqim janë pak ose aspak.

Me regjinë dembele të Joe Wright, i përshtatur nga best-seller-i i 2018 ‘The Woman in the Window” është një ‘pjesë e dytë’ e “Rear Window” me qëllimin e përditësimit të Hitchock-ut, sjelljen e tij në erën e smartphonë-ve, citofonisë me video dhe antidepresivëve. E mbyllura depresive në rastin tonë është Dr. Anna Fox (Adams), një psikologe fëmijësh e cila qëndron e mbyllur në një apartament (ëndrrash) në New York prej një rasti shumë të rëndë agorafobie – për ju që se dini është frika për të dalë jashtë shtëpie. Bashkëshorti i saj (Anthony Mackie) dhe vajza e tyre (Mariah Bozeman) nuk jetojnë më me të, edhe pse i dëgjojmë gjithë kohës në kujtimet (më zë) të Dr. Anna-s. Shoqëria e saj e vetme është macja e bardhë persiane Punch, qeraxhiu i katit poshtë David (Wyatt Russell) dhe një terapist që vjen herë pas here (i portretizuar nga Tracy Letts, që ka shkruar edhe skenarin).

Për të kaluar kohën Anna ka një raft plot me filma të vjetër që i sheh dhe i ri-sheh, tituj që përfshijnë “Laura” dhe “Dark Passage” dy indicie që i sugjerojnë pubikut për identitete të dyfishta dhe gjëra që nuk janë ashtu siç duken. Fanatikët e filmave që i njohin këto dy tituj kanë një simpati të madhe ndaj tyre ndaj përfshirja të shtyn ta shohësh filmin edhe më me shumë kërshëri. Disa sekonda nga Lauren Bacall apo Gene Tierney do e bëjnë audiencën të mendojnë – a mos vallë do ishte më mirë të shikoja diçka tjetër – një risk i madh ky për ‘The Woman in the Window”.

Po pasa-tempo-ja më i dashur i Anna-s është vëzhgimi i komshinjve përballë – siç tregohet që nga skenat e para të filmit, ajo si e ngeshme dhe e pamunudr për të dalë jashtë di çdo gjë për komshinjtë e saj. Familja që e tërheq më shumë është ajo që sapo ka hyrë në shtëpinë saj të re – Russell-at. Të parin që takon prej tyre është Ethan-i djaloshi 15 vjeçar i luajtur nga Fred Hechinger – një personazh i ndjeshëm dhe i dyshimtë. E rradhës që hyn në shtëpinë e agorafobikes është mamaja e tij (Julianne Moore) shumë miqësore por gjithashtu e dyshimtë – fundja në një thriller psikologjik të gjithë janë të dyshimtë. Dhe po aq e dyshimtë është mënyra se si ajo përshkruan bashkëshortin dhe djalin (Gary Oldman – Alistair Russell) – si baba të mirë po shkumë kontrollues dhe xheloz – a thua po mundohet ti rrëfejë një sekret.

Sekreti bëhet edhe më i qartë kur Anna shikon një krim në shtëpinë e tyre dhe situata e dhunës bëhet e qartë. Por a është znj. Russell ajo që thotë se është. Sugjerimi i një plani që ajo shikon mes të çarave të karriges lëkundëse e bën edhe më dyshuese situatën. Anna mendon se rreziku po i kanoset asaj dhe policia nuk vonon (Brian Tyree Henry, një detektiv shumë i butë) por dyshimi i tyre nuk bie tek Alistair por tek Anna vetë – fundja ajo është e çuditshme, jeton e mbyllur në shtëpi – flet me burrin dhe gocën që nuk i ka, pi grushta me antidepresivë… Njësoj si protagonistet ‘Gone Girl’ dhe ‘The Girl on the Train’ dy thrillera që nisën si libra e kthyen në filma – Anna është një narratore e paqëndrueshme. Dan Mallory, i cili shkruajti ‘The Woman in the Window’ nën pseudonimin A.J.Finn, edhe ai i paqëndrueshëm, në 2019 dolën skandalet e gënjeshtrave të jetës dhe karrierës së tij. Filmi u godit fort nga vala e Pandimemisë duke ndaluar dhe pastaj rifilluar dhe më pas rixhiruar disa nga skenat. Duke parë rrethanat, vonesat mund të kenë qënë për mirë.

Wright ka përshtatur për ekranin e madh ‘Atonement’ dhe përdorimi i kameras në mënyra jo klasike kanë rezultuar fituese në çlirimin e fjalëvë të shkruara në letër dhe përkthimin e tyre në skena gotike. Dhe tek ky film është përpjekush shumë – oh sa shumë – për të treguar jetën e trazuar të Anna-s dhe betejën e saj të përditshme si humbëse ai përdor skena që të sjellin në mendje ‘Vertigo’-n apo skenën e ëndrrrës së Salvator Dali tek ‘Spellbound’-i i Hitchock. Muzika e Danny Elfman të sjell në mendje Bernard Herrmann i cili mund të rrotullohet në var nga ngjashmëria. Mbase arritja më e madhe e filmit është skenografia e ndriçuar mugët e cila e bën operatorin Bruno Delbonnel dhe Joe Wright të risjellin “Anna Karenina”-n në variantin e Anna-s (Fox) një grua e cila jeton në një teatër – një mono – dramë.

Por ka një arsye pse horrorin mund ta bëjnë të gjithë dhe suspansën jo – ka një arsye pse të luash me thrillin psikologjik – jo gjithmonë kthehet në një thriller psikologjik. Dhe fajin për këtë sigurisht duhet ta marrë Wright – asgjë nuk e shpëton këtë Jo-Thriller Psikopatik – as performanca besnike e një personi të trazuar nga Adams – një lloj vazhdimi mini-serialit ‘Sharp Objects’ 2018. Ajo përpiqet të jetë një kondrapeshë e frenetizmit të regjisorit – i cili nuk mund të bëjë dot Hitchcock-un por thërrime të tij, thërrime që do i hanë zogjtë….

‘The woman in the Window” 1 orë, 40 minuta është në Netflix.