Bota

Thirrja për mobilizim të pjesshëm, qytetarët rusë në eksod për tu larguar nga vendi!

Numri i rusëve që hynë në Finlandë përmes kufirit tokësor me Rusinë të dielën ishte dyfishi i asaj të dielës së mëparshme.

Roja finlandeze kufitare deklaroi se 8,314 rusë hynë në Finlandë përmes kufirit tokësor finlandez-rus, dyfishi i numrit krahasuar me një javë më parë.

Pas njoftimit të Kremlinit për “mobilizim të pjesshëm”, Rusia pati protesta mbarëkombëtare dhe një eksod të qytetarëve që largoheshin nga vendi.

Rusët po shkojnë edhe në Gjeorgjinë fqinje për të shmangur thirrjet për të shkuar në një luftë me të cilën nuk janë dakord, pas urdhrit të presidentit rus Vladimir Putin për të mobilizuar qindra mijëra rezervistë për konfliktin në Ukrainë.

Kryeqyteti i Gjeorgjisë Tbilisi, ka patur një fluks prej rreth 40,000 rusësh, që kur Moska pushtoi Ukrainën më 24 shkurt.

Por të dielën, pritja për të hyrë në Gjeorgji arriti në 48 orë, me më shumë se 3,000 automjete në radhë për të kaluar kufirin, raporton Zëri i Amerikës.“Kur mësuam për mobilizimin, lamë gjithçka në shtëpi dhe hipëm në makinë”, thotë Dmitry Kuriliyunok në Tbilisi.

Dmitri, gruaja e tij Irina dhe vajza e tyre e vogël, për herë të parë kaluan me makinë nëpër Rusinë jugore nga Krasnodari në Mineralnye Vody në Kaukazin e Veriut, një vendtakim për shumë njerëz që kalojnë në Gjeorgji. Aty punësuan një shofer vendas për t’i çuar në pikën kufitare dhe pas 24 orësh arritën në Tbilisi.

“Ne jemi plotësisht kundër kësaj lufte dhe e quajmë ashtu siç është: nuk është një operacion, është një luftë që Rusia po zhvillon në territorin e Ukrainës. Për ne, si edhe për të tjerët, është e frikshme. Të vdesësh dhe të vrasësh të tjerët, dhe për çfarë? Nuk e kuptojmë. Prandaj vendosëm të iknim”, tha ai.

Numri i saktë i njerëzve që janë larguar nga Rusia që kur Presidenti Putin njoftoi atë që ai e quajti një “mobilizim të pjesshëm” më 21 shtator është i paqartë. Por largimet duket se po krijojnë një eksod të konsiderueshëm.

Rusët që tashmë ndodhen në Tbilisi e shohin dekretin e mobilizimit si një ripohim të vendimit të tyre për t‘u larguar nga vendi.

“Kam ardhur në Tbilisi rreth një muaj e gjysmë më parë, sepse nuk e mbështesja pushtimin ushtarak të Ukrainës. Kam marrë pjesë në protesta kur filloi operacioni ushtarak. Për ne si qytetarë aktivistë gjërat janë bërë shumë të vështira në këtë moment. Në vendin tonë të gjithë jemi të vëzhguar”, thotë Ivan Streltsov, një rezervist në forcat e armatosura të Rusisë, i cili mund të ishte mobilizuar me forcë nëse do të ishte në Rusi.

Banorët vendas janë të indinjuar me ndikimin ekonomik të dhjetëra mijëra të ardhurve të rinj në një qytet prej pak më shumë se një milion, me çmimet e apartamenteve që janë rritur gjatë gjashtë muajve të fundit.

Disa rusë, gjithashtu, kanë një ndjenjë ankthi për fluksin e fundit.

“Ata kanë qenë në protesta por për shtatë muajt e parë të kësaj lufte, gjithçka ishte normale dhe në rregull për ta. Por tani ata janë të prekur prej saj dhe po protestojnë kundër luftës”, thotë Stas Gaivoronsky, një shkrimtar në Tbilisi.

Më shumë se 200 personave, të cilët u arrestuan gjatë protestave kundër luftës në Moskë javën e kaluar, iu është dërguar thirrja për t‘u mobilizuar, njoftoi media shtetërore.