Celebrities Live From Tirana

“Ti je një rome ndryshe, je e arsimuar”/ Brisilda Taço tregon paragjykimet që e kanë përndjekur gjithë jetën!

Sot, e ftuar në emisionin “Live From Tirana” nëpërmjet një lidhjeje telefonike, ishte Brisilda Taço, aktiviste për mbrojten e të drejtave të komunitetit rom, për të na folur në lidhje me temën e ditës së sotme: “A ekziston koncepti i drejtësisë sociale në Shqipëri?” Si është gjendur Brisilda përballë kësaj drejtësie sociale si koncept? Ajo tregon se:

Së pari për ata që nuk më njohin, jam aktiviste për të drejtat e minoritetit rom në Shqipëri. Kam nisur vullnetarisht prej moshës 14 vjeç, më pas jam angazhuar me projekte të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Fillimet kanë qenë të vështira, vitet e fundit ka përmirësime sepse nuk jam vetëm unë për të ngritur zërin për komunitetin tim. Në Shqipëri jemi një ndër vendet që nuk përballemi me një drejtësi sociale, duke qenë se minoriteti im përballet me sfida të ndryshme në punësim, shkollim, në shoqëri e kudo. Diskriminohemi vetëm sepse jemi me ngjyrë dhe sepse flasim një gjuhë tjetër.

A mendon Brisilda se barrierat janë akoma masive? Ja se si shprehet ajo:

Patjetër që ne perballemi ende me barriera dhe kjo ndodh tek minoritetet që janë më të marxhinalizuara por jo vetëm komuniteti rom dhe egjiptian. Kur vjen puna tek komuniteti rom janë më të diskriminuarit. Kur vjen puna të jesh një grua rome, diskriminohesh sepse je grua, sepse je rome, je me ngjyre dhe sepse niveli jot ekonomik është më i ulët se gratë e tjera.

Lidhur me një rast personal që është ndjerë e diskriminuar, Taço thotë se:

Personalisht nuk jam diskriminuar sepse jam rome por për faktin se ti je rome por je ndryshe nga të tjerët. Diskrimiteti nuk ka qenë i drejtpërdrejtë por ka qenë tërthorazi. Kur nuk e kanë ditur që unë i përkas atij komuniteti i kanë ofenduar. Më ka përndjekur termi “Ti je një rome ndryshe, je e arsimuar dhe nuk je si ata” ose “Ti nuk mund të jesh rome sepse ti je e bardhë”. Të them të drejtën paragjykimet kanë ardhur nga njerëz të arsimuar, me nivel ekonomik shumë të lartë. Kur vjen një lloj paragjykimi nga njerëz që për shkak të formimit të tyre ata duhet t’i trajtojnë njerëzit të barabartë. Fatkeqësisht unë i kam dëgjuar në emisione politike që përdorin terma të ndryshme, ata nuk kërkojnë falje por ende mendojnë se jemi të tillë. Ne jemi rom dhe nuk quhemi terma të tjerë pezhorativ.