Celebrities Live From Tirana

“Tik Tok”-u, sociologu Ergys Mertiri: “Sot fëmijët nuk dalin të luajnë, kjo është kundrra natyrës”

Sot në emisionin “Live from Tirana” për të folur rreth një fenomeni shqetësues siç është Tik Tok-u, i cili sa vjen e bëhet më i përdorur nga fëmijët ishte i ftuar nëpërmjet një lidhjeje telefonike sociologu Ergys Mertiri.

Por çfarë mendon Mertiri në lidhje me këtë aktivitet të fëmijëve në rrjete sociale i cili po merr përmasa shqetësuese në të gjithë botën?

Bota kibernetikë është e dëmshme sepse ndikon në të mësuarit, përqëndruarit, artikulimin e fëmijëve. Duke lënë fëmijët në internet e ke ekspozuar ndaj keqbërësve, të cilët mund t’i shfrytëzojnë ata për interesa kriminale, abuzive. Prindërit nuk e kanë informacionin e duhur sepse ndryshe nuk do t’i linin. I lënë fëmijët në internet për të siguruar qetësinë e tyre. Duhet reduktuar koha, interneti të merr kohë që mund t’ja kushtosh natyrës. Sot i thua fëmijëve: ‘dil jashtë të luash’ dhe nuk duan të dalin. Është kundrra natyrës së fëmijëve. Prindëri duhet të jetë i vëmëndshëm, të gjithë njerëzit në shtëpi duhet ta shohin. Fëmija duhet lënë në internet vetëm për ato gjëra të nevojshme që i duhen.

Nuk arrij ta kuptoj se pse një fëmijë kërkon të rrezikojë të bëjë të tilla video në Tik Tok. Ky është një fenomen shqetësues. Ka një problem se fëmijët ne këtë moshë kërkojnë të duken, të jetojnë për tu bërë të famshëm, fëmijët sot nuk janë më të natyrshëm por duan të bëhen të famshëm në Tik Tok duke bërë budallallëqe që preferohen ditët e sotme. Duke hyrë në rrjete sociale fëmija jeton për këtë rrjet, krijon veten e tij në këtë rrjet dhe ai ekspozohet ndaj lloj lloj njerëzve siç mund të jenë pedofilat. Të gjitha këto mund të krijojnë drama fatale. Normat e kësaj shoqërie nuk janë të shëndetshme për fëmijet. I kërkojnë të ndjekin modele krejt negative për të ardhmen e tyre.