Bota Lajmet e fundit

“Times” denoncon: “400 mercenarë pro-rusë për të vrarë Zelenskyn!”

“Mbi 400 mercenarë rusë të afërt më Kremlinin dhe që i përkasin grupit paraushtarak Wagner, prej pesë javësh qëndrojnë në Kiev. Ata kanë një mision kryesor: të vrasin presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky”. Kështu shkruan britanikja “The Times”. Referuar të përditëshmes, “mercenarët kanë ardhur nga Afrika, për të realizuar misionin e tyre”.

Lajmi mbi praninë e milicisë, të përbërë nga ish-ushtarakë e ish-policë, të lidhur me biznesmenin e fuqishëm rus në Kiev, Yevgeny Prigozhin, çoi në vendimin për të shpallur shtetrrethim në kryeqytetin ukrainas. Në fundjavë u dha lajmi se kush shihej në rrugë pas orës 17:00 do të konsiderohej armik e sabotator.

Madje, mësohet se krahas vrasjes së Zelensky-t, gjithashtu paraushtarakët kanë marrë urdhër të ekzekutojnë 23 përfaqësues të qeverisë ukrainase e figura të spikatura, për t’i dhënë mundësi Moskës të vendosë për një qeveri “kukull”. Në shënjestër është i gjithë kabineti qeveritar, si edhe kryebashkiaku i Kievit, Vitaly Klitscho e vëllai i tij, Wladimir.

“Times” shkruan se mercenarët po presin “OK”-ein e Kremlinit për të vepruar. Mendohet se Zelensky e objektivat e tjerë mund të gjurmohen përmes celularëve.

Misioni po qëndron pezull për shkak të nisjes së negociatave Rusi-Ukrainë në Bjellorusi, edhe pse të shumtë janë zërat që aludojnë se Putin nuk ka qëllim të arrijë marrëveshje.

Nga muaji janar, grupi Wagner numëron në Ukrainë nga 2 mijë deri në 4 mijë pjesëtarë me misione të ndryshme. Disa prej tyre u dërguan në zonën e republikave separatiste të Donbas-it, në Ukrainën lindore.