Aktualitet

Tirana e Durrësi me më pak vaksinime anti-COVID!

Tirana dhe Durrësi janë dy qytetet me më pak vaksinime kundër koronavirusit. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ishte në Sukth dhe vuri në dukje se për shkak se në të dy bashkitë, mbulesa vaksinale nuk është aty ku duan të shkojnë do të fokusohen te Tirana e Durrësi.

Manastirliu theksoi rëndësinë që të mos neglizhohet vaksinimi anti-COVID veçanërisht tani që ka një rritje të alarmit nga varianti Delta, i njohur për transmetueshmërinë.

Ministrja i bëri thirrje personave mbi 18-vjeç të shfrytëzojnë këtë javë për t’u paraqitur në qendrat e vaksinimit. Kujtojmë se dje u raportuan 43 raste të reja, shifra më e lartë e infektimeve në dy muaj në vendin tonë.

Çdo individ plus 18-vjeç mund të vijë të vaksinohet. Kjo krijon mundësinë që të rrisim mbulesën vaksinale sipas grupmoshave. Me alertin e variantit Delta është një moment i mirë për ndërgjegjësim për të mbrojtur shëndetin. Nuk përbën vetëm përgjegjësi të strukturave por edhe të çdo qytetari. Vetëm nëpërmjet vaksinimit ne do të luftojmë virusin!

Varianti Delta e ka rritur transmetueshmërinë. Edhe në vendin tonë kemi një rritje të lehtë të rasteve. Për të thënë të vërtetën jemi të shqetësuar, sepse kjo sjell hospitalizime. Ne duhet të rrisim vaksinimet për të shmangur hospitalizimet e fatalitetet.