Sport

Tirana fiton titullin e 26, Veliaj: Tirona Kampion! Urime nga zemra

Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ka uruar ekipin e Sport Klub Tiranës për fitimin e titullit kampion.

“Tirona Kampion‼️URIME NGA ZEMRA”, shkruan Veliaj.

Kujtojmë që Bashkia e Tiranës është bashkëaksionere e ekipit kampion.

Që me ardhjen në krye të Bashkisë së Tiranës, kryebashkiaku Veliaj mori përsipër dhe shlyerjen e borxheve të prapambetura që ky institucion ka pasur ndaj Ekipit të Tiranës, ndërsa nuk kanë munguar as shpërblimet për kupat e fituara duke i dhënë një mbështetje të fuqishme ekipit bardheblu.

Bardheblutë janë zyrtarisht kampionë të Kategorisë Superiore, vetëm dy vjet pas suksesit të luftuar të skuadrës së Emanuel Egbo, i cili hodhi themelet për skuadrën që Orges Shehi e perfeksionoi.

Nuk mund ta finalizonte më mirë sezonin Tirana që e hipotekon trofeun më prestigjoz të futbollit shqiptar pas fitores 2-1 në derbin me Partizanin dhe falë distancës së sigurisë tashmë me vendin e dytë të Laçit që nuk mund të mbështetet as te matematika për të mbajtur të hapur kampionatin 3 javë nga fundi.

Të kuqtë kaluan në avantazh fillimisht me një supergol të Skukës që krijoi idenë se festa e bardhebluve do të shtyhej sërish por dy lojtarët e sezonit, Seferi e Totre menduan për të bërë drejtësi në fushë me dy gola shumë të rëndësishëm dhe të bukur njëkohësisht. Sukses që i hapi rrugën festës në një sezon ku Tirana nuk ka humbur asnjë nga katër ndeshjet ndaj të kuqve. Sezon rekordesh, i krahasueshëm me atë të dy apo tre dekadave më parë kur bardheblutë ishin zotër të kryeqytetit dhe futbollit shqiptar.

Xhixha dhe Seferi në majën e sulmit ishin frymëzuezit e vërtetë të kësaj skuadre që u mbështet edhe te kolonia e maqedonasve Najdovski e Toshevski por edhe te Totre që bashkë me Limajn kurorëzuan një sezon model në mesfushë. Titulli i dytë për Bekajn e Ismajlgecin dhe një trofe karriere për kapitenin Muça nga stoli.

Vetëm 5 humbje sezonale, asnjë në ndeshjet derbi me Partizanin apo Dinamon dhe mesatarisht dy gola për ndeshje. Në takimet vendimtare Tirana bindi dhe theu me radhë të gjithë kundërshtarët duke nisur që nga Vllaznia e për të vazhduar me Kukësin, Laçin e Partizanin. Nuk la asgjë rrugës ekipi i presidentit Halili që pjesën më të madhe të sezonit e luajti në “Arenën Kombëtare” dhe si për ironi e kompletoi në “Elbasan Arena”.

Kjo skuadër duket se ka hapur një cikël të gjatë suksesesh pasi edhe me largimet e verës së shkuar arriti t’i plotësonte vendet bosh duke u konfirmuar kampione e Shqipërisë me të drejta të plota.

Tashmë që titulli i 26 po qëndiset, Tirana duhet thjesht të mbyllë sezonin me tre takimet e mbetura dhe të mendojë për ndeshjet e Ligës së Kampioneve pasi skuadra bardheblu do të jetë e angazhuar që në muajin korrik me sfidat e raundit të parë.