Aktualitet

Tiranë, aksidentohet makina e ambasadës ruse në Sauk/ Humb jetën një rus!

Aksident i rëndë rrugor me pasojë vdekjen e një shtetasi rus në Tiranë. Rreth mesnate në zonën e Saukut, në këtë aksident u përfshi një automjet i ambasadës së Rusisë. Te mbikalimi në Mjull Bathore,  makina u përplas me banderolën metalike, doli nga rruga e goditi bordurën. Viktimë mbeti një 36-vjeçar rus, i cili udhëtonte si pasagjer. Drejtuesi i moshës 30-vjeç ndodhet në spital. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Në njoftimin zyrtar, Drejtoria e Policisë së Tiranës dha detaje lidhur me këtë ngjarje të rëndë ku u përfshi automjeti i ambasadës ruse.

Më datë 11.05.2023, rreth orës 23:10, te mbikalimi në Mjull Bathore, automjeti i ambasadës ruse, me drejtues shtetasin A. K., dhe pasagjer shtetasin S. M., është përplasur me banderolën metalike të rrugës, ka dalë nga rruga dhe më pas është përplasur me bordurën”, deklaron policia.

Policia sqaron më tej se “si pasojë e plagëve të marra nga përplasja, ka ndërruar jetë në spital shtetasi rus S. M., 36 vjeç, ndërsa shtetasi A. K., 30 vjeç, ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.