Aktualitet

Tiranë, AMP arreston dy punonjës policie për korrupsion!

AMP, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, rajoni Tiranë arrestoi në flagrancë dy punonjës policie, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Në pranga ranë dy inspektorë të patrullës Shqiponja. Ata u kapën  në flagrancë duke i marrë një drejtuesi mjeti 100 euro, me qëllim shmangien e ndëshkimit të tij me gjobë, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Njoftimi zyrtar: 

Të arrestuarit janë: inspektor A.C., 36 vjeç, me detyrë Patrullë e Përgjithshme në Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe inspektor, H.XH, 26 vjeç, me detyrë Patrullë e Përgjithshme në Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

Arrestimi u krye pasi këta punonjës policie u kapën në flagrancë duke i marrë një drejtuesi mjeti 100 euro, me qëllim shmangien e ndëshkimit të tij me masë gjobe për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Gjatë kontrollit personal, këtyre punonjësve iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma prej 1420 euro, 8800 lekë, si edhe 4 aparate telefonike celularë.

Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Në një tjetër zhvillim, Policia e Cërrikut finalizoi operacionin “Pikët”, për organizimin e  kundërligjshëm të lojërave të fatit. Në kuadër të këtij operacioni, blutë arrestuan në flagrancë një 35-vjeçar, i cili lokalin në pronësi e kishte vënë në dispozicion të organizimit të paligjshëm të lojës me zara.

Njoftimi i policisë: 

Gjithashtu u proceduan penalisht 12 shtetas që u kapën duke luajtur në ambientet e këtij lokali. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan tavolina ku zhvillohej loja me zara dhe rreth 65 mijë lekë të rinj, të dyshuar si të përfituar nga kjo veprimtari e kundërligjshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.