Aktualitet

Tiranë/ Operacioni “Summer 2022”, konfiskohet pasuri me vlerë 2 milionë euro!

Një pasuri me vlerë dy milionë eurosh është sekuestruar në Tiranë nga policia në bazë të operacionit të koduar “Summer 2022”.

E gjithë pasuria dyshohet të ketë ardhur si pasojë e aktiviteteve kriminale, ndërsa u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vendosjen e sekuestrimit ndaj pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në emër të 39-vjeçarit me iniciale R. P., banues në Tiranë.

39-vjeçari ka qenë i arrestuar më parë në vitin 2018, nga autoritetet policore angleze, si i dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa në vitin 2007 është dënuar me 7 vjet burgim në Shqipëri, për të njëjtën vepër penale.

Pasuria e cila shkon në një vlerë prej dy milionësh kishte konkretisht:

Një pasuri e paluajtshme (arë) në zonën e Valare të Gjirokastrës, 5 apartamente në zonën e quajtur “Komuna e Parisit”, 3 garazhe në zonën e quajtur “Komuna e Parisit”, 1 apartament në Yzberisht dhe 3 automjete.

Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera që ky shtetas dhe familjarët e tij mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.