Aktualitet

Tiranë, pranga një shtetasi që rrëmbeu nga vendi i punës e dhunoi bashkëshorten!

I hoqi lirinë dhe ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes, e cila ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje, pranga një 33-vjeçari në Tiranë. Shtetasi me iniciale A.Sh u arrestua në flagrancë nga forcat e Komisariatit nr. 4, pasi e rrëmbeu gruan e tij nga vendi i punës, pranë një subjekti privat në rrugën “Qazim Vathi”. Më pas, e dërgoi në mjediset e një lokali ku siç bëhet e ditur në njoftimin zyrtar “ushtroi dhunë fizike e psikologjike”.

Njoftimi zyrtar:

Policia e Tiranës arrestoi një 33-vjeçar, pasi akuzohet se i hoqi lirinë dhe ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila ishte e pajisur me urdhër mbrojtjeje.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas njoftimit se një shtetas kishte marrë me forcë bashkëshorten e tij nga vendi i saj i punës, e kishte çuar atë në një lokal, pa dëshirën e saj, dhe më pas e kishte dhunuar, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tij.

Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale nga shërbimet e Policisë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: A. Sh., 33 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Ky shtetas ka marrë me forcë bashkëshorten e tij, nga subjekti privat ku ajo punonte, në rrugën “Qazim Vathi”, e ka dërguar në një lokal dhe më pas ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, e cila e kishte pajisur këtë shtetase me urdhër mbrojtjeje.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.