Aktualitet

Tiranë, tre të arrestuar pas një konflikti me armë zjarri!

Ndërhyrja e uniformave blu shmang një konflikt të armatosur në fshatin Pezë Helmës të Tiranës. Policia arrestoi tre persona, mes tyre një 32-vjeçar e babanë e tij të moshës 60-vjeç, si edhe një shtetas 40-vjeç. Përplasja ndodhi lidhur me një konflikt për motive të dobëta, ndërsa u sekuestruan edhe një pistoletë e dy krehra me municion luftarak. Për veprime të mëtejshme procedurale, materialet i kaluan Prokurorisë Tiranë.

Njoftimi zyrtar i Policisë:

Policia e Tiranës ka parandaluar këtë të mërkurë (1 mars) një konflikt me armë zjarri mes dy personave. Konflikti ka ndodhur për motive të dobëta në fshatin Pezë Helmës ku si pasojë janë arrestuar tre persona, dy të konfliktuarit si edhe një 60-vjeçar, babai i një prej të konfliktuarve, për fshehje të armës së zjarrit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë dhe 2 krehra me municion luftarak, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale

Të arrestuarit:

– N. Sh., 40 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;

– E. B., 32 vjeç, banues në Pezë-Helmës, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Moskallëzimi i krimit”;

– I. B., 60 vjeç, banues në Pezë-Helmës, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.