Aktualitet

Tiranën e viziton sot eurokomisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi!

Eurokomisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, sot vjen në Tiranë në kuadër të turit të takimeve në Ballkan, që në fillimjavë nisi me Bullgarinë, për t’i përfunduar në kryeqytetin tonë. Ndalesa në Tiranë paraprihet nga ajo në Shkup, që nuk solli gjë të re, pasi Bullgaria rikonfirmoi veton kundër Maqedonisë së Veriut sa i përket datës për hapjen e negociatave. Për shkak të penalizimit nga Shkupi, tashmë Tirana po përpiqet për çeljen e tyre, edhe pa Maqedoninë e Veriut.

Lidhur me vizitën e Varhelyit, Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri njoftoi:

Komisioneri Várhelyi do të vizitojë Shqipërinë për t’u theksuar autoriteteve shqiptare angazhimin e BE-së ndaj perspektivës së anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Komisioneri Varhelyi do të takohet me kryeministrin Edi Rama dhe më pas do të kenë një konferencë për mediat. Ai do të takohet me komunitetin shqiptar të biznesit, do të vizitojë konviktet e studentëve që po rehabilitohen përmes Planit Ekonomik dhe Investimeve të BE-së si dhe do të inaugurojë dy shkolla të rindërtuara përmes programit EU4Schools.

Në një tjetër zhvillim, Parlamenti Europian i bëri thirrje vendeve anëtare, të angazhohen plotësisht ndaj zgjerimit të BE-së. Në një prononcim për Report Tv, presidentja Roberta Metsola u shpreh se “procesi i zgjerimit mund të jetë një mjet i fuqishëm për të kundërshtuar përpjekjet e aktorëve të huaj keqdashës, për të destabilizuar rajonin”. Për presidenten e PE, ndarja e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në rrugën e procesit të integrimit do të ishte kundër parimit për aq kohë sa  të dyja vendet i plotësojnë kriteret, ndërsa theksoi se “bisedimet e pranimit për të dyja vendet duhet të fillojnë pa vonesë”.

Parlamenti Europian i ka kërkuar vazhdimisht Këshillit të ruajë ritmin dhe besueshmërinë e integrimit europian duke hapur menjëherë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, siç rekomandohet vazhdimisht nga Komisioni, duke qenë se të dy vendet kanë përmbushur kushtet e vendosura nga Këshilli Europian. Ne u kemi bërë gjithashtu thirrje vendeve anëtare të demonstrojnë angazhim të plotë politik ndaj zgjerimit dhe t’i japin një shtysë të besueshme përpjekjeve reformuese të vendeve të tjera të zgjerimit duke hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Parlamenti Europian pohon se procesi i zgjerimit është një proces i bazuar në merita. Kjo do të thotë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të fillojnë negociatat. Fillimi i negociatave vetëm me njërin prej tyre, ndërkohë që të dyja plotësojnë kriteret, do të shkonte kundër këtij parimi!