Aktualitet

Tjetër operator për linjën e Unazës në Tiranë!

Bashkia e Tiranës i ka hequr licencën kompanisë që menaxhon linjën e Unazës. Lajmin e bëri të ditur vetë kryebashkiaku Erion Veliaj, gjatë një takimi me administratorët e shkollave, në kuadër të masave për mbarëvajtjen e vitit të ri arsimor parauniversitar, që nis më 27 shtator.

Veliaj shpjegoi se vendimi u mor pas abuzimeve të shumta të denoncuara edhe nga udhëtarët. Gjithashtu, paralajmëroi administratorët e të tjera linjave të transportit publik.

Gjatë kësaj vere kam qenë shumë i angazhuar për të bërë disa ndërhyrje në transportin publik. Një prej tyre ka të bëjë me linjat e funksionimit të autobusëve në Tiranë. Kam vendosur që këtë javë t’i heq licencën kompanisë që menaxhon linjën e Unazës, për sjellje absolutisht të papërgjegjshme, për abuzim gjatë gjithë kohës së COVID-it, me justifikimet për të kryer shërbimin. Ky është paralajmërim edhe për linjat e tjera. Po i vëzhgojmë me shumë imtësi.

Linja e Unazës do të rivihet në dispozicion të qytetarëve, por me një operator tjetër.  Tranzicioni për t’u kthyer në normalitet do të ndodhë përpara vitit shkollor. Për të lehtësuar trafikun që rëndohet me hapjen e shkollave do të hyjë në fuqi dhe regjimi i furnizimit të pikave ushqimore e supermarketeve.

Një tjetër masë e ndërmarrë për rritjen e sigurisë në shkolla që lidhet me transportin është edhe ndalimi i qarkullimit të makinave në disa prej rrugicave pranë shkollave gjatë orarit mësimor.

Në disa prej rrugëve, ne kemi filluar të eksperimentojmë ato që i quajmë “rrugë shkollore”. Si në të gjithë botën, bllokohet ajo rrugicë e përdoret në mënyrë këmbësore vetëm nga fëmijët derisa mbaron procesi mësimor. Në disa rrugica të tjera do të bëjmë një rishikim për kangjella, për t’u siguruar që trotuari ku fëmijët hidhen menjëherë nga dera kryesore të ketë një lloj barriere të mbrojtur derisa shkojnë te vija e bardhë ose tek semafori.

Ndërkaq, me rifillimin sot të vitit shkollor në shkollat private, në shumë rrugë të kryeqytetit, përfshirë unazën pati rëndim e deri bllokim të trafikut.