Rajoni

Tjetër tërmet i fortë në Bosnje, magnituda 4.8!

Toka vazhdon të dridhet në Bosnje-Hercegovinë, ku mbrëmjen e së premtes, një tërmet 5.7 Rihter e që u ndje edhe në Shqipëri, shkaktoi një viktimë, disa të plagosur e dëme materiale.

Në jug të vendit ballkanik, për sot raportohet një tjetër lëkundje e fortë me magnitudë 4.8 e shkallës Rihter. Sipas mediave, epiqendra ishte 14 kilometra në lindje të Stolacit, jo shumë larg Mostarit. Në 48 orët e fundit, aktiviteti sizmik në zonë ka qenë intensiv me dhjetëra tërmete të regjistruar në mënyrë të vazhdueshme, më i fuqishmi prej tyre ky i sotmi i magnitudës 4.8.

Në tërmetin që shkundi Bosnjen pas orës 23:00 të datës 22 prill, gjeti vdekjen një 30-vjeçare. Ajo u nxorr nga rrënojat në qytetin e Stolacit, pas shembjes së një pjese kodre që përfshiu shtëpinë ku banonte me familjarët. Por, fatkeqësisht nuk mundi t’iu mbijetonte lëndimeve të shumta e në spital u deklarua e vdekur nga personeli.

Sa i përket personave të plagosur, shumë vetë kërkuan ndihmë të specializuar mjekësore, por asnjë nuk ishte në gjendje kritike. nga burime zyrtare, raportohet se pas mjekimit u kthyen në shtëpitë e tyre. Qyteti Stolac pësoi dëmet më të mëdha materiale e gjurmët e tërmetit të para dy netëve janë të dukshme, veçanërisht nëpër makina dhe çati të shtëpive. Qytetarët vazhdojnë të jenë në panik e të shumtë janë ata që zgjedhin të kalojnë natën jashtë, për të mos rrezikuar jetën.

Tërmeti i 22 prillit e kishte epiqendrën rreth 42 kilometra në juglindje të qytetit të Mostarit, në thellësinë afro 5 kilometra, sipas të dhënave të Qendrës Sizmologjike Euro-Mesdhetare. E njëjta qendër paralajmëroi për të tjera pasgoditje në orët dhe ditët në vijim në Bosnje- Hercegovinë. Kujtojmë se lëkundja e parmbrëmshme, po ashtu shkundi Ballkanin e përveçse në qytete të ndryshme të Shqipërisë u ndje gjithashtu në Kroaci, Serbi, Mal të Zi, Kosovë e më tej, deri në Itali.