Aktualitet

Tkurret sektori i ndërtimit, rreth 40% më pak leje se një vit më parë

Sektori i ndërtimit, një nga motorët e ekonomisë shqiptare gjatë krizave, duket se po i drejtohet një tkurrjeje të pashmangshme. Këtë e tregojnë të gjitha të dhënat e këtij viti, duke nisur nga planifikimi i ndërtimeve të reja.

Gati 40% më pak leje ndërtimi u miratuan gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator. Konkretisht, 269 leje janë dhënë në Shqipëri për ndërtesa të reja gjatë tremujorit të tretë të 2022-it, nga 442leje në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Më pak leje u dhanë edhe në tremujorin e dytë të këtij viti.

Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë thotë se treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit ra me 7.2 pikë përqindje në muajin tetor, duke vijuar trendin rënës të muajve paraardhës. Ndërtimi ka kontribuuar negativisht edhe në ecurinë e rritjes ekonomike në tremujorin e dytë të vitit 2022.

Ndikimi në Produktin e Brendshëm Bruto për këtë periudhë ishte me -0,49 pikë përqindje. Teksa vetëm një vit më parë ishte ndër sektorët e vetëm që shënonin rritje.

Treguesit negativë tregojnë se ndërtimi ka nisur gradualisht fundin e shpërthimit, që nisi me banesat e reja në kryeqytet dhe pasoi me programin e rindërtimit dhe komplekset në bregdet.

Kryeqyteti vijon që të marë numrin më të lartë të lejeve të ndërtimit dhe gjatë periudhës korrik shtator vetëm për Tiranën janë miratuar 86 leje ndërtimi.

Pas kryeqytetit renditet Durrësi me 82 leje .Ndryshimi i numrit të lejeve të miratuar është ndjeshëm më I ulët për qarqet e tjera, kështu Korça ka marrë aprovim për 20 ndërtime dhe Lezha për 17 objekte. Vlen të theksohet se një rënie të ndjeshme të lejeve për ndërtimin e objekteve të reja ka pësuar Vlora e cila renditet e fundit vetëm me tre të tilla.