Aktualitet Rajoni

Tkurret Vetëvendosje, dy deputetë braktisin Albin Kurtin!

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka “humbur” dhe dy deputetë të tjerë pas Doarsa Kica Xhelilit që ka kaluar në LDK, Haki Abazit dhe Fatmir Humollit që kanë vazhduar rrugëtimin e tyre në Kuvend pa grup parlamentar, dhe Vasfije Krasniqit që i është dashur të braktis pozitën e deputetes për arsye shëndetësore dhe që është zëvendësuar nga bashkëpartiaku i saj Nasuf Bejta.

Eman Rrahmani dhe Visar Korenica janë dy deputetët e rinj që kanë vendosur ta braktisin Lëvizjen Vetëvendosje.

Këto lëvizje kanë ardhur si rezultat i mospajtimeve të vazhdueshme mes tyre dhe qëndrimeve të partisë.

Kodi Civil ka qenë ai që ka shkaktuar krisjen e madhe mes këtyre dy deputetëve dhe LVV-së, krisje kjo që ka rezultuar me largimin e tyre nga partia në mungesë të gjetjes së gjuhës së përbashkët.

Korenica dhe Rrahmani në vazhdimësi janë shprehur kundër martesave të gjinisë së njëjtë që parashihen në Kodin Civil, i cili ende s’ka marrë dritën e gjelbër të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ata do t’i bashkohen Ferid Aganit dhe Behgjet Pacollit për zgjedhjet e 9 shkurtit në atë që do ta quajnë “Lëvizja për Familjen”.