Love & Sex Tech

Tkurrja e popullsisë, ky vend ka krijuar tanimë një aplikacion takimesh!

Parlamenti i Japonisë miratoi së fundmi legjislacionin e ri për të ndalur rënien e nivelit të lindjeve, pasi vendi shënoi një normë rekord të ulët të lindshmërisë totale vitin e kaluar. Sipas ligjit të ri, qeveria do të rrisë përfitimet e fëmijëve dhe do të zgjasë lejen prindërore. Miratimi i ligjit të ri vjen pasi qeveria e kryeministrit Fumi Kishida e sheh periudhën që çon deri në vitin 2030 si shansin e fundit për të ndryshuar trendin, me martesat e vona dhe shqetësimet financiare të përmendura shpesh si arsye për rënien e lindjeve.

Statistikat e qeverisë zbuluan se shkalla totale e lindshmërisë së Japonisë vitin e kaluar ra në shkallën e saj më të ulët që nga mbajtja e të dhënave në vitin 1947. Shkalla e fertilitetit, që tregon numrin e fëmijëve që një grua pret, ra në 1.20. Viti i kaluar ishte viti i tetë radhazi që Japonia, e cila ka rreth 125 milionë banorë, regjistroi rënie të natalitetit.

Qeveria e këtij vendi ka vendosur të përpiqet të rrisë numrin e lindjeve në mënyrë moderne. Në vitin 2023, në këtë vend kanë lindur 727,277 foshnja. Sipas vlerësimeve të ekspertëve, ky numër nuk është i mjaftueshëm për të mbështetur popullsinë e Japonisë, e cila aktualisht numëron pak më shumë se 121 milionë njerëz.

Për t’u marrë me këtë problem, autoritetet shtetërore vendosën për një zgjidhje moderne, një aplikacion takimesh të sponsorizuar nga vetë shteti. Për momentin, do të testohet vetëm në kryeqytetin, Tokio dhe koncepti është i thjeshtë. Qytetarëve do t’u duhet vetëm të vërtetojnë se nuk janë të martuar, janë mbi 18 vjeç dhe jetojnë e punojnë në Tokio.

Përveç kësaj, ata do të bëjnë një test që duhet të shprehë vlerat që përfaqësojnë dhe aplikacioni do të përdorte teknologjinë për të provuar të lidhte njerëz me botëkuptime të ngjashme. Vlen të theksohet se Japonia ka një problem të veçantë me rënien e popullsisë për shkak të tendencës historike të mos pranimit të një numri të madh emigrantësh, ndryshe nga vendet perëndimore për të cilat emigracioni ishte zgjidhja konceptuale e kësaj situate.