Sport

Simone Biles sfidon problemet e shëndetit mendor, garon sot në finalen e traut të ekuilibrit!

Simone Biles konkurron sot në finalen e traut të ekuilibrit, gara e fundit në gjimnastikën për femra në Olimpiadën e Tokios.

Federata Amerikane e Gjimnastikës:

Jemi shumë të ngazëllyer të konfirmojmë që do të shihni dy atlete amerikane në finalen e traut të ekuilibrit: Suni Lee dhe Simone Biles. Mezi presim t’ju shohim të dyjave!

Eshtë hera e parë që amerikania do të konkurrojë në Tokio që pas tërheqjes nga faza finale e garave në ekip të martën e kaluar duke përmendur si shkak shëndetin e saj mendor.

Në Lojërat e Rios 2016, 24-vjeçarja fitoi katër medalje Ari.

Biles është kampione në fuqi e botës në traun e ekuilibrit dhe mori një Medalje Bronzi në këtë garë në Rio. Por në Tokio ka pësuar krizë besimi dhe u shpreh se u ndje e çorientuar gjatë sekuencave të rrotullimeve në ajër që janë sfiduese ndaj gravitetit.

Eshtë sinqerisht e tmerrshme të përpiqesh të bësh një lëvizje, po të mos kesh mendjen dhe trupin të sinkronizuar.

Disa teknika të vështira akrobatike duhet të kryhen në traun e ekuilibrit.

Pavarësisht se nuk garoi, javën e kaluar, Biles ishte e pranishme në Qendrën e Gjimnastikës për të mbështetur koleget e ekipit amerikan. Sunisa Lee mori Medaljen e Arit në garat individuale dhe Mykayla Skinner, e zëvendësoi në finalen e kërcimit të kaluçit të dielën, duke fituar Medaljen e Argjendit.