Bota

Tony Blair: “Tërheqja ushtarake nga Afganistani e panevojshme!”

Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, që ka çuar trupat ushtarake në luftë në Afganistan në vitin 2001, e ka konsideruar tërheqjen ushtarake të Perëndimit nga ky shtet si të rrezikshme dhe të panevojshme. Blair ka thënë se Rusia, Kina dhe Irani do të përfitojnë nga largimi ushtarak i Perëndimit, pas 21 vjetëve të luftës dhe sulmeve terroriste. Blair i ka bërë këto komente në një deklaratë të publikuar në faqen e tij Fondacioni Tony Blair për Ndryshime Globale.

Braktisja e Afganistanit dhe njerëzve të tij është tragjike, e rrezikshme, e panevojshme dhe nuk është as në interesat e tyre, as në tonat. Pyetja që duhet bëhet nga aleatët, por edhe nga armiqtë është se “a e ka humbur Perëndimi gatishmërinë e tij strategjike?” Si lider i shtetit tonë, kur kemi marrë vendim që t’iu bashkohemi Shteteve të Bashkuara për të rrëzuar talibanët nga pushteti – e kush ka parë shpresat e mëdha për atë se çfarë mund të arrihej për njerëzit dhe botën – e di më mirë se shumëkush sa të vështira janë vendimet e udhëheqësive dhe sa e lehtë është që të kritikohesh dhe sa e vështirë është të jesh konstruktiv.

Ai i ka bërë thirrje Perëndimit që të evakuojë dhe t’i strehojë ata për të cilët ka përgjegjësi. Udhëheqësia e lartë e talebanëve është raportuar të jetë mbledhur në Kabul më 21 gusht, për të analizuar qeverinë e ardhshme, pas kthimit të grupit islamist në pushtet.

Talebanët kanë premtuar udhëheqësi ndryshe në krahasim me periudhën e fundit sa kanë qenë në pushtet më 1996-2001, kur kanë udhëhequr përmes një interpretimi të ashpër të ligjit islamik. Talebanët kanë pretenduar fitore më 15 Gusht, pasi kanë marrë kontrollin e kryeqytetit, Kabulit, pas gati 20 vjetëve të dhënies fund të prezencës ushtarake të forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.

Qeveria ka rënë dhe presidenti Ashraf Ghani ka ikur nga shteti. Talebanët kanë fituar kontrollin e Afganistanit pak ditë para afatit të fundit, 31 Gusht, për tërheqje të forcave ndërkombëtare nga ky shtet. Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talebanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talebanët kanë qenë duke strehuar në atë kohë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkuara. Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.

Rikujtojmë se, kryeministri britanik, Boris Johnson tha së fundmi se Britania e Madhe do të bashkëpunojë me talebanët nëse është e nevojshme. Johnson gjithashtu mbrojti Ministrin e Jashtëm Dominic Rabb, i cili është kritikuar për trajtimin e situatës në Afganistan dhe tha se i beson atij në mënyrë absolute.