Aktualitet

Top Media i përgjigjet shantazhit të sajuar të Kryeministrit Rama!

Kryeministri Edi Rama reagoi sot në mëngjes, para nisjes në Berlin, me një postim në Twitter, ku akuzonte emisionin “Inside Story”, me titull “Grabitja e fondeve publike”, për shantazh në kërkim të fondeve. Reagimi i Kryeministrit vjen si një seri sulmesh ndaj Top Channel, pas transmetimit të disa kronikave shqetësuese për publikun, siç është rritja e energjisë elektrike, rritja e naftës, largimi i të rinjve, taksimi i bizneseve, etj.

Për ta bërë më të besueshme për publikun, në reagimin e tij të fundit, Kryeministri Rama nxorri vetëm një faqe të një dokumenti, të dalë nga konteksti. Top Media sqaron se ky dokument është pjesë e projekteve që Fondacioni “Dritan Hoxha” aplikon prej 15 vitesh në institucionet shqiptare dhe ndërkombëtare, që kanë për qëllim promovimin, advokimin e vlerave të vendit tonë dhe virtyteve të shoqërisë tonë.

Kjo ka ndodhur në dhjetra projekte që ka zbatuar Fondacionin “Dritan Hoxha”, duke nisur nga Ministria e Kulturës, DPSHTRR, Bashkimi Europian, Bashkia Tiranë dhe bashki të tjera në vend etj. Së fundmi Top Media po zhvillon promovimin e bizneseve Start-up, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Rinisë. Dhe ky projekt nuk po transmetohet nën efektet e shantazhit, por po i jepet hapësirë të rinjve që të aplikojnë në iniciativa të reja biznesi. Duhet theksuar, se asnjë nga fondet e aplikuara në institucione, nuk përdoret për financim nga Top Channel, por ato shpenzohen vetëm për realizimin e programit dhe promovimin e vlerave.

Dokumenti i publikuar nga kryeministri Edi Rama

Top Media ka qenë e hapur për të promovuar gjithashtu çdo thirrje të institucioneve, që i shërbejnë interesit publik. E tillë është thirrja më e fundit e Ministrisë së Energjisë, ku nëpërmjet spote të sponsorizuaa bënte thirrje për kursimin e energjisë. Këto spote publicitare, nuk e kanë ndalur Top Media që të pasqyrojnë shqetësimin masiv të publikut për rritjen e çmimit të energjisë.

Por, le të kthehemi tek projekti i AZHBR, për të cilin Kryeministri Rama intimidoi Top Channel dhe emisionin Iniside Story. Për hir të transparencës, ne po bëjmë publike, dokumentin e plotë dhe jo të copëzuar. Dokumenti është pjesë e një projekti të aplikuar nga Fondacioni “Dritan Hoxha” pranë institucionit të AZHBR. Ky projekt ka si qëllim promovimin e produkteve bio shqiptare, reklamimin e fermave shqiptare dhe rritjen e turizmit rural. Ky projekt i quajtur “Bio Albania”, nuk ishte marketing për AZHBR, por për bizneset shqiptare, në mënyrë që të thithen sa më shumë investime në sektorin bujqësor.

Pjesë e projektit ishte dhe transparenca e fondeve të AZHBR, për të cilin institucioni u kujdes që ta jepte duke nxjerrë në publik aplikimin e projektit, që është krejtësisht ligjor, i protokolluar dhe i dokumentuar. Ndryshe, emisioni i djeshëm “Inside Story”, tregoi se fondet publike të AZHBR janë shpërdoruar dhe shpesh u janë dhënë njerëzve me lidhje politike. Emisioni tregoi se një fermer i thjeshtë nuk mund të përfitojë asnjë qindarkë nga fondet IPARD dhe AZHBR.

Do të ishte e udhës, që reagimi i Kryeministrit të ishte për faktet konkrete të emisionit dhe jo të lëshonte një shashkë për të denigruar misionin e Top Medias dhe stafit të saj. Së fundmi, ndërmjet shantazhit të sajuar të Kryeministrit Rama dhe të vërtetës, e vendos vetëm publiku…e vendosin ata fermerë që largohen dita ditës nga Shqipëria.