Bota

Tornado “gjunjëzon” Hjustonin, dëme katastrofike!

Një stuhi e fuqishme goditi bregun e Gjirit Amerikan, duke nxitur një tornado që shkaktoi dëme në lindje të qytetit të Hjustonit, në shtetin e Teksasit. Më herët, Shërbimi Kombëtar i Motit kishte paralajmëruar se një “tornado e fuqishme, jashtëzakonisht e rrezikshme dhe potencialisht vdekjeprurëse preku tokën dje pasdite”. Më pas iu drejtua qytetit Beitaun, rreth 40 kilometra në lindje të Hjustonit.

Autoritetet lokale raportuan për dëme në rrjetin elektrik, në banesa e biznese, por nuk pati njoftime për lëndime serioze mes popullatës.

Pamjet e transmetuara nga stacioni televiziv i Hjustonit “KTRK” treguan dëme në ndërtesa e në shtylla elektrike në Pasadena, një qytet në juglindje të Hjustonit. Ende nuk ka njoftime për të lënduar.

Faqja e internetit PowerOutage.us, e cila mbledh të dhëna të drejtpërdrejta mbi ndërprerjet e energjisë elektrike në të gjithë vendin, njoftoi se rreth 123 mijë familje të Teksasit kishin mbetur pa energji elektrike, kryesisht në zonën e Hjustonit e në disa pjesë të tjera përreth tij.

Ky zhvillim shënon vetëm fillimin e asaj që pritet të jetë një natë me stuhi të fortë përgjatë bregut të Gjirit Amerikan. Qendra e Parashikimit të Stuhive në Norman të Oklahomës bëri të ditur se zonat përgjatë bregut, mund të prekeshin një ditë më parë nga tornado, me erëra të forta dhe breshër.

Po ashtu, stuhia solli me vete borë e akull në zonat qendrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në pjesën më të madhe të tyre.