Aktualitet

Trafik e probleme qarkullimi, moti i keq sjell bllokime rrugësh; ankorohet trageti ne Vlorë

Pas shtatë orësh në det të hapur është ankoruar trageti me 118 pasagjerë në portin e Vlorës. Era e fortë dhe stuhia e bënë të pamundur afrimin e tragetit në kalatat e portit të Vlorës, për të zbritur pasagjerët. Për shkak të motit të keq gjatë ditës së sotme është ndaluar dhënia e leje-nisjes për të gjitha mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit.

Rrebeshet e shiut dhe stuhia e erës që ka kapluar të gjithë vendin prej disa orësh, kanë bllokuar aksin nacional Vlorë-Radhimë. Në zonë ka rrëshqitje të theksuara gurësh dhe dherash dhe për momentin qarkullimi për automjetet është i pamundur. Mësohet se firma kontraktore po shkon drejt vendit ku është raportuar problematika për të rikthyer lëvizjen e makinave.

Moti i keq ka rikthyer problemet me trafikun e automjeteve në kryeqytet. Për shkak të pranisë së ujit e vështirësive në qarkullim në disa akse, Policia Rrugore apelon të respektohen me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.

Bëhet fjalë për segmentet që lidhen kryesisht me qendrën e Tiranës. Sipas policisë kjo situatë është shkaktuar për shkak të aktiviteteve në sheshin “Skënderbej”, ku ka flusk të shtuar të automjeteve, por dhe të këmbësorëve, të cilët futen në drejtime të ndryshme. Blutë apelojnë që të shmanget sa është e mundur lëvizja në drejtim të qendrës.

Njoftimi i plotë:

Për shkak të aktiviteteve që zhvillohen në sheshin “Skënderbej”, ka fluks të shtuar të automjeteve, por dhe të këmbësorëve, të cilët futen në drejtime të ndryshme, jashtë vendkalimeve të përcaktuara, gjë që ka sjellë herë pas here bllokim të lëvizjes.

Policia Rrugore e Tiranës, nisur edhe nga shtimi i automjeteve që vijnë në drejtim të Tiranës apo qytetarëve që vijnë nga jashtë shtetit, për festa dhe pushime, me qëllim shmangien e bllokimit të lëvizjes në Unazën e Vogël, kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve që të shmangin sa është e mundur lëvizjen në drejtim të qendrës, konkretisht hyrjen nga:

– Rruga e Durrësit;

– Rruga e Kavajës drejt rrugës “Ibrahim Rugova”;

– Bulevardi “Zogu i Parë” drejt rrugës “Urani Pano”;

– Rruga e Dibrës drejt 9-katsheve;

– Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” drejt rrugës “Abdi Toptani”;

– Rruga e Elbasanit drejt 9-katsheve.

Policia Rrugore fton qytetarët që të denoncojnë në 112 e Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të qarkullimit rrugor, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm e të paanshëm.

Sa i përket motit në vijim, edhe orët në vijim, në te gjithë territorin e vendit pritet ndikimi i motit të keq, me reshje shiu e dëbore. Herëpas’here, shirat janë në formë shtrëngate ndërsa reshje të dendura dëbore ka në zona të thella malore. Ndërkaq, temperaturat luhaten nga minus 1 në 15 gradë celcius.