Rajoni

Trafik emigrantësh nga Shqipëria për në Kosovë e BE, dhjetëra të arrestuar!

Policia e Kosovës njofton sot se ka arrestuar 18 persona, për veprën penale të trafikut të paligjshëm të emigrantëve. Sipas burimeve zyrtare, dyshohet se klandestinët, kryesisht aziatikë, kanë hyrë ilegalisht nga Shqipëria. Më pas, u dërguan në pjesën veriore të Kosovës dhe destinacioni i tyre i fundit ishte një nga shtetet e Bashkimit Europian.

Hetimet e autoriteteve patën nisur në muajin mars të këtij viti e në datën 14 korrik, u prangos një shtetas sirian me inicialet M.A, i cili dyshohet se ka organizuar trafikun me emigrantët.

Po ashtu, një ditë më parë, Policia e Kosovës bëri të ditur se finalizoi operacionin e koduar “Shkoza”. Në fshatin Shkozë të Prizrenit, autoritetet e rendit thanë se kryen kontrolle në tre vende. Në njoftimin zyrtar, theksohet:

Në njërin nga lokacionet, një i dyshuar tentoi t’i godasë me veturë zyrtarët policorë. Ai u arrestua për ‘sulm ndaj personit zyrtar’ dhe u dërgua në mbajtje. Ndaj tij është veçuar akuza nga të dyshuarit e tjerë të përfshirë në ‘kontrabandë me emigrantë’.

Policia godet një grup të madh trafikantësh me emigrantPrishtinë, 31 korrik 2022Hetuesit policorë nga Departamenti i…

Posted by Kosovo Police on Sunday, July 31, 2022

Në aksionin e ditës së djeshme u vunë në pranga 16 të dyshuar për trafikim të emigrantëve, si dhe një tjetër për armëmbajtje pa leje. Nga të dyshuarit janë sekuestruar katër armë zjarri, 95 copë fishekë, tre autobusë, dy autovetura, dy radiolidhje e 17 telefona celularë.

Që nga viti 2015, shtetet e Ballkanit Perëndimor janë shndërruar në pika tranziti për personat që ikin nga vendet në luftë të Lindjes së Mesme, si dhe për t’i shpëtuar varfërisë në vendet e Afrikës. Ata synojnë të shkojnë në një prej vendeve anëtare të Bashkimit Europian, me shpresën për një të ardhme më të mirë. Kosova ka qendra për pranimin e emigrantëve, të cilët paguajnë trafikantët për udhëtimt e ndaluara. Por shumica e tyre e përdorin këtë shtet si tranzit për në Union e nuk planifikojnë të qëndrojnë në territorin e Kosovës.