Aktualitet

Trafik ndërkombëtar klandestinësh, SPAK-u lëshon 25 urdhër-arreste!

SPAK-u lëshon 25 urdhër arreste për persona të përfshirë në trafikun e emigrantëve nga Lindja e Mesme, me destinacion Italinë e jugut e të tjera vende të Bashkimit Europian. 18 prej tyre janë shqiptarë dhe 7 shtetas të huaj: palestinezë, irakianë, iranianë, egjiptianë e turq. Një operacion i zhvilluar në Shqipëri, Greqi e Turqi zbuloi si funksiononte aktiviteti kriminal i trafikimit të personave.

Nga hetimet, u dokumentua se në bashkëpunim mes tyre, pjesëtarë të katër grupeve (dy në Itali dhe nga një në Shqipëri e Turqi), ushtronin aktivitetin kriminal. Pasi siguronin persona të ndryshëm kryesisht në Irak, Siri, Egjipt e vende të tjera, kundrejt një shpërblimi monetar nga 5 mijë deri në 10 mijë euro, i shoqëronin në rrugë tokësore dhe detare, duke iu mundësuar kalimin në mënyrë të paligjshme nga njëri shtet në tjetrin, me destinacion përfundimtar vendet e Bashkimit Europian. U dokumentuan 30 episode kontrabandimi të 1120 emigrantëve.

Po nga hetimet në Shqipëri të kryera nga SPAK-u, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese janë dokumentuar 7 (shtatë) episode kontrabandimi të personave nga Lindja e Mesme, të regjistruara në Tiranë, Korçë, Gjirokastër, Elbasan, Fier, Vlorë e Sarandë. Janë kapur në flagrancë edhe personat e kontrabanduar për të kaluar kufijtë shtetërorë në mënyrë të paligjshme, si edhe është dokumentuar aktiviteti kriminal i këtij grupi të strukturuar. Gjithashtu janë sekuestruar mjete lundruese (skafe), një anije velierë, automjete e sende të ndryshme, të cilat shërbenin për kontrabandimin e personave në rrugë tokësore dhe nëpërmjet detit.

Hetimet dhe operacioni janë zhvilluar midis Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Shqipëri; Seksionit Antimafia të Prokurorisë së Leçes, Itali; si dhe të Prokurorisë së Përgjithshme të Apelit Athinë, Greqi, me koordimin e EUROJUST (AJA) dhe ndihmën e EUROPOL. Operacioni është zhvilluar njëkohësisht në tri shtetet pjesë të skuadrës dhe në disa vende të tjera.