Aktualitet

Trafikonin automjete të vjedhura në Itali e Gjermani, vihet në pranga 55 vjeçari!

55-vjeçari shqiptar Edmond Zogo është vënë në pranga pasi dyshohet se ai bashkë me tre bashkëpunëtorë trafikonin drejt Shqipërisë automjete të vjedhura në Itali dhe Gjermani.

Zogo dhe tre bashkëpunëtorët e tij pajisnin automjetet me vlerë rreth 120 mijë euro me dokumente false, me qëllim shitjen e tyre në Shqipëri.

Sipas efektivëve, tre bashkëpunëtorët, shtetas italianë dhe shqiptarë janë identifikuar dhe po punohet për kapjen e tyre.

“Nga hetimet ka rezultuar se këta 4 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë trafikuar në Shqipëri, automjete të vjedhura kryesisht në Itali dhe në Gjermani. Gjithashtu, se ndërhynin në elementet identifikuese të automjeteve dhe paraqitnin për to, dokumente false, me qëllim shitjen në vendin tonë”, shkruhet në njoftimin e Policisë.

Njoftimi i Policisë:

Fier/Zhvillohet operacioni policor i koduar “Long Way”.

Bashkëpunëtor për trafikimin në Shqipëri, të automjeteve të vjedhura në Itali dhe në Gjermani, të cilat pajiseshin me dokumente false, arrestohet 55-vjeçari.

Ndërkohë, janë identifikuar 3 bashkëpunëtorë të 55-vjeçarit (shtetas shqiptarë dhe italian) dhe po punohet për kapjen e tyre.

Sekuestrohen 2 automjete të vjedhura, kamper dhe tip “Fiat”, prodhime të viteve të fundit, me vlerë rreth 120 000 euro.

Si rezultat i punës së specialistëve të Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Fier, pas sigurimit të informacioneve se disa shtetas ishin të implikuar në veprimtarinë kriminale të trafikimit të automjeteve, është zhvilluar operacioni policor i koduar “Long Way”.

Në kuadër të operacionit është vënë në pranga shtetasi E. Z., 55 vjeç, banues në Fier, si dhe janë shpallur në kërkim shtetasit A. Dh., 38 vjeç dhe E. K., 43 vjeç, të dy banues në Berat, si dhe shtetasi italian A. M., 51 vjeç.

Nga hetimet ka rezultuar se këta 4 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë trafikuar në Shqipëri, automjete të vjedhura kryesisht në Itali dhe në Gjermani. Gjithashtu, se ndërhynin në elementet identifikuese të automjeteve dhe paraqitnin për to, dokumente false, me qëllim shitjen në vendin tonë.

Në cilësinë e provës materiale janë gjetur dhe sekuestruar 2 automjete tipe “Fiat” dhe “Iveco”, prodhime të viteve të fundit, me vlerë rreth 120 000 euro.

Vijon intensivisht puna për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, po kryhen hetime për të zbardhur dhe provuar ligjërisht raste të tjera të trafikimit të mjeteve, që mund të kenë kryer këta shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.