Aktualitet

Trafiku në rrugën e Rinasit, ja si do të zgjidhet situata!

Trafiku i rënduar për mjetet që kanë si destinacion aeroportin e Rinasit do të zgjidhet duke rehabilituar një aks paralel me rrugën ekzistuese.

1.3 kilometra përpara se mjetet të afrohen për te rrethrrotullimi i Rinasit, në afërsi të repartit ushtarak, do të ndërtohet një nyje dalëse e cila do të lidhë automjetet me sheshin e parkimit të aeroportit. Autoriteti Rrugor ka hapur një procedurë emergjente, e cila kërkon rikonstruksionin e aksit brenda 3 muajve.

Kompania që do të fitojë tenderin do të duhet të lidhë një kontratë të formës“ me çelësa në dorë”, që merr përsipër projektimin dhe rregullimin e segmentit kundrejt pagesës 280 mijë euro nga shteti.

Afati për dorëzimin e ofertave përfundon më 15 qershor, dhe nëse procedura nuk ankimohet, rruga e re pritet të jetë gati në fund të muajit shtator.

Për shkak të numrit të lartë të pasagjerëve që fluturojnë përmes aeroportit të Rinasit, i cili për vitin e shkuar arriti në 2.9 milion pasagjerë, trafiku në këtë segment është i rënduar.

Rruga u bë me një drejtim lëvizjeje disa javë më parë, por dhe kjo zgjidhje u pezullua për shkak të banorëve të zonës që e përdornin segmentin për të shkuar drejt kryeqytetit.