Bota

Tragjedi ajrore në Rusi, rrëzohet avioni!

Tragjedi ajrore në Rusi, 7 persona humbën jetën nga rrëzimi i një avioni An-12, i kompanisë bjelloruse, Grodno. Mjeti fluturues ra dhe më pas mori flakë, pranë Irkutskut, në lindje të Siberisë. Autoritetet e aviacionit në Bjellorusi, konfirmuan vdekjen e tre bjellorusëve, dy rusëve e dy ukrainasve që gjendeshin në bord. Për zbardhjen e shkaqeve nisën hetimet.

Sipas mediave ruse, rrëzimi ndodhi në momentin kur piloti bëri një përpjekje të dytë për t’u ulur ndërsa dështoi në të parën.

Moti i keq, me temperatura të ulëta që kanë çuar në krijimin e ngricave mund të ketë krijuar vështirësi për të patur kontrollin e avionit, prodhim sovjetik i viteve ‘50. Ndonëse të vjetër, me qindra të tillë vijojnë të përdoren në Rusi, ish-vendet e Bashkimit Sovjetik e në të tjera shtete të botës.

Avioni i përfshirë në tragjedinë e sotme, fluturonte nga Bilibino, në rajonin rus Chukotka e para se të vazhdonte për në Irkutsk, bëri një ndalesë në Yakutsk.