Bota

Tragjedi në një stadium të El Salvadorit, 12 viktima!

Tragjedi në një një stadium në El Salvador. Ajo që duhej të ishte një ndeshje interesante futbolli, përfundoi me 12 viktima. Tifozët nisën të shtyheshin dhe u krijua kaos, kur të shumtë në numër tentuan të hynin në stadiumin Cuscatlan në San Salvador, kryeqyteti i këtij vendi të Amerikës Qendrore, për të parë takimin mes ekipeve Alianza dhe FAS.

Duke folur për gazetarët, numri një i Policisë, Mauricio Arriaza deklaroi:

Sipas të dhënave paraprake kemi 12 viktima.

Ministri i Brendshëm, Juan Carlos Bidegain tha se shërbimet e mbrojtjes civile ishin të parat që reaguan në vendin e ngjarjes. Ndërkaq, Carlos Fuentes, zëdhënës i shërbimit të urgjencës Comandos de Salvamento, bëri të ditur se ndihma u është ofruar më shumë se 500 njerëzve.

Rreth 100 persona u dërguan në spital, në gjendje të rëndë, disa duke shfaqur shenja të problemeve me frymëmarrjen e të tjera lloje traumash të shkaktuara nga shtypja.

Fuentes shpjegoi edhe se rrëmuja filloi pasi porta e stadiumit u rrëzua mbi turmën e njerëzve, që nga paniku nisën të reagonin në mënyrë kaotike e përfunduan duke shkelur njëri-tjetrin.

Agjencia e lajmeve AP që i referohet burimeve policore raporton se të paktën dy nga të lënduarit janë në gjendje kritike për jetën.

Përmes një postimi në Twitter, presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele tha se ngjarja do të hetohet deri në fund e paralajmëroi se personat përgjegjës do të ndëshkohen.

Të gjithë do të hetohen, ekipet, menaxherët, stadiumi, zyra e financës, liga, federata.

Federata e Futbollit e Salvadorit reagoi duke theksuar se “shpreh keqardhje të thellë” për ngjarjet që ndodhën në stadium dhe gjithashtu “shpreh solidaritetin e saj” me familjet e viktimave.

Tragjedia është e ngjashme me atë që ndodhi shtatë muaj më parë kur 135 njerëz, mes të cilëve më shumë se 40 fëmijë humbën jetën në një rrëmujë, pas një ndeshjeje futbolli në Malang të Indonezisë.