Bota Lajmet e fundit

Tragjedi në sheshxhirim, Alec Baldwin qëllon me pistoletë, vritet Drejtorja e Fotografisë!

Tronditet kinematografia amerikane nga një ngjarje e rëndë, në dukje aksidentale në setin e filmit amerikan “Rust” në Nju Meksiko të Shteteve të Bashkuara. Protagonisti i realizimit western, Alec Baldwin qëlloi me pistoletë, por arma ishte e mbushur dhe nga të shtënat humbi jetën Drejtorja e Fotografisë, Halyna Hutchins 42-vjeçe, si dhe u plagos regjisori Joel Souza. Për momentin nuk është ngritur asnjë akuzë pasi hetimet e policisë amerikane vazhdojnë.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, tragjedia është e lidhur me një pistoletë të përdorur si aksesor në set. Zyra e Sherifit në Santa Fe njofton:

Hetuesit po përpiqen të zbulojnë llojin e plumbit dhe mënyrën si u qëllua, Hutchins e Souza  u goditën kur Baldwin e zbrazi armën e zjarrit.

Hutchins ndërroi jetë në Spitalin Universitar të Nju Meksikos ku u dërgua me helikopter, duke mos i mbijetuar plagës së shkaktuar. Ndërkaq, për gjendjen shëndetësore të 48-vjeçarit Souza nuk ka detaje, përveç faktit se po mbahet nën mbikëqyrje mjekësore në Qendrën Mjekësore Christus St.Vincent’s ku u transportua me autoambulancë.

Në foto, shfaqet Alec Baldwin, dukshëm i tronditur për ngjarjen, në një parkim jashtë Zyrës së Sherifit të Santa Fe-së, pasi dje u mor në pyetje lidhur me të shtënat në set.

“Rust” është një film western, me ngjarje që zhvillohen në vitin 1880 i shkruar dhe i drejtuar nga Joel Souza, me Alec Baldwin si bashkëproducent e në rolin e Harland Rust, i cili shkon në ndihmë të nipit 13-vjeçar të dënuar për vrasje. Të tjerë yje të tij janë Travis Fimmel e Jensen Ackles.