Aktualitet

Tragjedia e Himarës, Policia Kufitare ndalon mjetet motorike në plazhet e Sarandës dhe Ksamilit

Pas ngjarjes tragjike në Himarë të martën, Policia Kufitare ka marrë vendimin për të mos lejuar lëvizjen e mjeteve motorike në ujërat e plazheve të Sarandës dhe Ksamilit.

Ky vendim parashikon se asnjë mjet uji jetski dhe skaf nuk do të lejohet të akomodohet dhe qarkullojë në ujërat e 140 plazheve private dhe 5 plazheve publike në Sarandë dhe Ksamil.

Të gjitha stacionet e deritanishme të skafeve dhe jetskive kanë qenë të paligjshme, pasi Bashkia Sarandë nuk ka dorëzuar kërkesë në Policinë Kufitare për asnjë nga këto stacione të cilat kanë funksionuar deri tani nëpër plazhe.

Vendimi përjashton vetëm mjetet ujore të licencuara për udhëtime turistike, të cilat do të lejohen të dalin vetëm nga Porti dhe nga Limani dhe nuk do të lejohet hyrja dhe dalja e tyre nga territoret e plazheve apo mole të ndërtuara në mënyrë të paligjshme dhe të cilat nuk janë të licencuara.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë u regjistrua më 2 gusht në plazhin e Potamit në Himarë, ku Arjan Tase duke drejtuar gomonen ka goditur për vdekje një 7-vjeçare. E mitura Joanda Avdia ishte duke u larë në det ku është përplasur fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00. Drejtuesi i gomones ishte shefi i policimit në komunitet në Elbasan, ndërsa drejtuesi i Policisë së Shtetit, Gledis Nano e përjashtoi Arjan Tasen përfundimisht nga policia.

Kujtojmë se më herët, prokuroria kundërshton qëndrimin dhe referimin e Policisë së Vlorës që komisarin Arjan Tase e akuzon “Për vrasje nga pakujdesia”, lidhur me ngjarjen tragjike të 2 gushtit në plazhin e Potamit në Himarë. Për oficerin e policisë, Arjan Tase, prokurorja Eranda Laze dorëzoi në gjykatë akuzën e vrasjes me dashje të 7 vjeçares Jonada Avdia, ndërsa kërkoi masën e “Arrestit me burg”.