Aktualitet

Tragjedia e Himarës, sot protesta e radhës!

Rreth një javë nga ngjarja tragjike e Himarës, me pasojë vdekjen e 7-vjeçares Jonada Avdia, edhe sot protestohet. Pas tubimit të 4 gushtit, protesta është thirrur po para Ministrisë së Brendshme, në orën 19:30 minuta. Protestuesit kërkojnë të mbahet përgjegjësi e të largohen ministrat Bledi Çuçi e Mirela Kumbaro, si dhe numri një i Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

Më 2 gusht, skafi me drejtues zyrtarin e policisë Elbasan, Arjan Tase hyri në një perimetër të ndaluar në Potam e vrau në det 7-vjeçaren Jonada Avdia, duke ngritur alarmin për gjendjen e sigurisë në kulmin e sezonit turistik.

Të enjten e kaluar, manifestimi u mbajt me moton: “Nuk e vrau varka, por shteti” dhe pjesëmarrësit marshuan nga Ministria e Brendshme drejt Kryeministrisë e më tej për te Presidenca. Protesta mbështetet edhe nga opozita: Partia Demokratike e Partia e Lirisë. Vdekjes tragjike të Jonadës i bënë jehonë edhe mediat në Britaninë e Madhe, duke e përshkruar si “horror në plazh” atë që i ndodhi 7-vjeçares, shtetase britanike, e lindur në Britani dhe që me familjen jetonte në Barking, në lindje të Londrës.

Të premten e 5 gushtit u dha masa e sigurisë për Arjan Tasen. Gjykata e Vlorës vendosi “Arrest me burg”, ndërsa në sallën e gjyqit, ai i kërkoi falje familjes Avdia e po ashtu, Policisë së Shtetit. Për të, Prokuroria kërkoi “Arrest me burg” e të enjten e kaluar, po ky institucion kundërshtoi qëndrimin dhe referimin e Policisë së Vlorës që e akuzoi “Për vrasje nga pakujdesia”. Tashmë, ndaj tij rëndon akuza “Vrasje e kryer në formën e dashjes indirekte”.

Ndërkohë, strukturat e Policisë thonë se janë të angazhuara maksimalisht, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, veçanërisht në zonat turistike e bregdetare. Nga Ksamili në Velipojë, po zhvillohen operacione për bllokimin e mjeteve lundruese e argëtuese, verifikimin e dokumentacionit të tyre, respektimin e bovave e të sinjalizimeve përkatëse për kufizimin e lëvizjes.