Bota

Tragjedia në Kanalin Anglez, Franca dhe Britania zotohen të veprojnë!

Parisi dhe Londra zyrtare zotohen të marrin masa për të kufizuar emigracionin e paligjshëm dhe shkatërruar rrjetet e trafikut të qenieve njerëzore, pasi të paktën 27 refugjatë humbën jetën dje, duke kaluar Kanalin Anglez, nga Franca në Britani. Gomonia e tyre u fundos dhe kjo shënon tragjedinë më të rëndë që kur kanali është shndërruar në rrugë për klandestinët. Mendohet se aty gjendeshin 34 vetë, sipas të dhënave të bëra publike nga ministri francez i Mbrojtjes, Gerald Darmanin. Autoritetet në Francë arrestuan dy të dyshuar, si trafikantë të qenieve njerëzore.

Presidenti francez, Emmanuel Macron bisedoi me kryeministrin britanik, Boris Johnson për të rritur përpjekjet që të ndalohen trafikantët, fajtorë për rritjen e numrit të emigrantëve. Macron e Johnson ranë dakord për të vepruar me urgjencë përballë shtimit të përpjekjeve për të parandaluar kalimet vdekjeprurëse. Sipas tyre është shumë e rëndësishme të diskutohen të gjitha mundësitë në tryezë, për të thyer modelin e grupeve kriminale, që po përfitojnë ekonomikisht.

Por, krahas bashkëpunimit, Franca dhe Britania e Madhe fajësojnë njëra-tjetrën se nuk po bëjnë mjaftueshëm. Që kur Mbretëria e Bashkuar doli nga Bashkimi Europian, tensionet Londër-Paris janë rritur edhe për çështje të tjera, përfshirë të drejtat e peshkimit.

Macron tha se “Franca nuk do të lejojë që Kanali të kthehet në varrezë”. Ai bëri thirrje për një takim urgjent të ministrave të Bashkimit Europian, për të adresuar çështjen serioze të emigracionit.

Ndërkaq, Boris Johnson mblodhi Komitetin Qeveritar Britanik të Krizave, ku mësohet se u shpreh “i shokuar dhe thellësisht i mërzitur” për atë që ndodhi. Shefi i qeverisë së Londrës apeloi që Parisi të bëjë më shumë për të ndalur valën e emigrantëve e jo vetëm përmes patrullimeve bregdetare. Sipas autoriteteve britanike, këtë vit, më shumë se 25 mijë persona kanë arritur të kalojnë ilegalisht në Britaninë e Madhe, shifër tre herë më e lartë se në vitin 2020.