Aktualitet

Një qiri dyshohet se shkaktoi shkrumbimin e banesës ku humbi jetën një 12-vjeçare në Gjirokastër!

Vazhdojnë hetimet për ngjarjen tragjike në Gjirokastër, ku mbrëmë një 12-vjeçare humbi jetën nga flakët që përfshinë banesën, ku jetonte me familjarët, në fshatin Dervician. Dyshohet se shkak u bë një qiri, pasi prej orës 17 të pasdites së djeshme, zona mbeti pa energji elektrike, si pasojë e avarive nga moti i keq. E mitura u bllokua nga flakët në një prej mjediseve të shtëpisë dy-katëshe, fatkeqësisht pa mundur të mbijetojë. Gjithashtu, u plagos babai i vajzës, Irakli Ndrico.

Njoftimi i Policisë Gjirokastër:

Rreth orës 20:30, në sallën operative ka ardhur një telefonatë se në fshatin Dervician, Dropull, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit I. N. Në momentin kur banesa është përfshirë nga flakët, brenda saj kanë qënë shtetasi  I. N., 49 vjeç dhe vajza e tij 12 vjeçare H.N, ku si pasojë janë  dëmtuar dhe janë transportuar në spitalin Rajonal Gjirokastër. Pas mbërritjes në spital  12 vjeçarja si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë, ndërsa shtetasi I.N. ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për  zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Vetëm pak javë më parë, një tjetër tragjedi u regjistrua nga zjarri në fshatin Hllomo po në Gjirokastër, ku për pasojë humbën jetën një çift të moshuarish. Shkak i zjarri u bë bombola e gazit. Irakli dhe Fotini Panajoti, të moshave 84 e 73 vjeç gjetën vdekjen.

Një pallat u përfshi nga flakët në fshatin Shtyllë, në Korçë. Dëmet materiale janë të shumta, por fatmirësisht nuk ka të lënduar. Aty jetonin tre familje dhe anëtarët e tyre arritën të dilnin në kohë, duke i shpëtuar zjarrit të rënë aksidentalisht, për shkak të një oxhaku.