Aktualitet

Tragjike! Një shqiptar i burgosur vetëvritet brenda automjetit të policisë në Greqi

Një ngjarje tragjike ka ndodhur të enjten, por është publikuar sot në Greqi. Një i burgosur shqiptar që po transportohej nga spitali i Amfisës drejt burgut të Malandrinos është vetëvrarë.

38-vjeçari, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, vari veten me lidhëset e këpucëve në dritaren e furgonit që në zhargonin e policisë greke quhet “Kluva”.

Ai ishte transportuar në spital pasi kishte paraqitur probleme shëndetësore. 38 vjeçari vuante një dënim për vepra të ndryshme penale. Autoritetet greke thonë se kanë nisur hetimet në lidhje me zbardhjet e ngjarjes.

Në nëntor 2018, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg tërhoqi vëmendjen për dhunën e ushtruar ndaj të burgosurve shqiptarë dhe atyre bullgarë në burgjet greke.

Për këtë arsye, Greqia u gjobit me 110 mijë euro për keqtrajtimet që u bëhen të dënuarve. Duket se edhe rasti i fundit i vetëflijimit tragjik të 38 vjeçarit shqiptar vjen në vazhdën e keqtrajtimit të vazhdueshëm të të dënuarëve në burgjet greke