Sport

Trajneri i ri i Tiranës është Nevil Dede

Nevil Dede është zyrtarisht trajneri i ri Tiranës. Lajmi konfirmohet nga klubi bardheblu nëpërmjet një komunikate në faqen zyrtare. Ish-futbollisti i 25-herë kampionëve të Shqipërisë rikthehet për herë të tretë në stolin e ekipit kryeqytetas. Dede pason Emanuel Egbonë, i cili u shkarkua pas eliminimit befasues të Tiranës nga Korabi në raundin e dytë të Kupës së Shqipërisë.

Nevil Dede është shpallur 8 herë kampion i Superligës Shqiptare, 5 herë fitues i Kupës së Republikës dhe 6 herë fitues i Superkupës. Dede ka shkruar një pjesë të historisë së bardhebluve.

“Nevil Dede ka qenë edhe më parë në krye të Tiranës në rolin e trajnerit dhe është njohës i mirë i kampit. Ai do të marrë nën drejtim skuadrën në seancën stërvitore të radhës”- thuhet në njoftimin e klubit.