Sport

Trajneri Reja me vlerësime për elementë të kombëtareve kuqezi U-18 e U-19!

Të dyja miqësoret e ekipeve kombëtare kuqezi U-18 e U-19 ndaj bashkëmoshatarëve të Italisë në datat 10 e 11 gusht në qendrën e Korverçanos, u ndoqën nga trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja. Duke analizuar paraqitjet e ekipeve, tekniku u shpreh se ishin teste të rëndësishme ndaj një rivali mjaft të fortë siç është Italia.

Pashë gjëra pozitive në këto dy miqësore, sidomos në aspektin e temperamentit. Djemtë bënë gjëra të mira në fushë, ndonëse u mundën, që sigurisht ka rëndësi relative në miqësore, por ishin vazhdimisht në lojë dhe luftuan. Sigurisht, vlerat e të dyja skuadrave të Italisë janë superiore në aspektin fizik, janë të gjithë lojtarë në qendër të vëmendjes në Itali e të afirmuar në klube të mëdha, edhe pse shumë të rinj. Në këtë kuptim është gati e pamundur të pretendosh t’i mposhtësh, por gjithsesi, të dyja ekipet shqiptare treguan shumë gjëra të mira gjatë miqësoreve.

Duke folur për Fshf.org, faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit, Reja vlerëson faktin se këto eksperienca janë mjaft të vlefshme për të analizuar situatën.

Për shembull, në ndeshjen mes Kombëtareve U-19, për 30 minutat e para, Shqipëria luajti si e barabartë, madje edhe në pjesën e dytë tregoi futboll interesant në fushë. Ne përpiqemi gjithmonë të përmirësohemi sepse këto eksperienca janë të rëndësishme për të bërë krahasime, por ka edhe elementë interesantë në këto dy grupe. Duhet ta pranojmë që Italia ka një brez të shkëlqyer të vitlindjes 2005. Unë mbeta i kënaqur që pata mundësinë të shoh ekipet kombëtare në aksion dhe konstatoj se lojtarët japin shenja përmirësimi të vazhdueshëm. Ka shumë elementë premtues e në të ardhmen, ne duhet të jemi edhe më kompetitivë në raport me të tjerë rivalë europianë.

Ka shumë elementë të mirë në të dyja grup-moshat, është një grup me të cilin po punohet mirë, ndërkohë që po ndjekim rritjen e këtyre lojtarëve, një pjesë e të cilëve i kam ndjekur edhe më parë në ekipet zinxhirë të moshave. Ka edhe shumë të tjerë lojtarë të rinj që aktivizohen në klubet shqiptare dhe më kanë lënë përshtypje të mira. Mund të them se po punohet mirë në futbollin e të rinjve në Shqipëri. Ne duhet të synojmë që në të ardhmen të jemi më shumë kompetitivë dhe objektivi është që të rivalizojmë skuadra të tjera, pasi është e vështirë të matesh me ekipe si Italia, Anglia, Gjermania apo Franca. Por, nëse punojmë mirë mund të konkurrojmë denjësisht me skuadra si Polonia, Austria, Kroacia apo Çekia e të luajmë si të barabartë me ekipe të këtij niveli.