Art & Kulturë Sot Nuk Është e Hënë

“Transkript nga krevati tjetër” që solli rikthimin e Ervin Hatibit, vjen në vëmendjen e “SNËH”!

“Transkript nga krevati tjetër” është vëllimi me poezi i Ervin Hatibit, i parë si një album fotografik, me imazhe të gjalla, por edhe i ndier si muzikë e mirë, emocion që jo doemos kërkon ta përshkruash me fjalë. Pikërisht me këtë libër e ka nisur Koloreto episodin e parë të këtij viti në “Sot Nuk Është e Hënë”.

Një poet gjithnjë i mirëpritur që prej moshës 14-vjeçare, kur u shfaq për herë të parë në një kopertinë libri. Në atë kohë tërhoqi vëmendjen edhe të Ismail Kadaresë, i cili i uroi mirëseardhjen si pjesë e një epoke të re. Ervin Hatibi ka botuar pak libra me poezi dhe dy me ese, por gjithnjë i vlerësuar dhe i mezipritur deri edhe me librin “Transkript nga krevati tjetër”. Si poet, por edhe si artist pamor gjithashtu qëndron në ekuilibër mes fjalës dhe imazhit që mund të përdoren me të njëjtin kuptim edhe kur shkruan, edhe kur pikturon.

Ky libër vjen pas një periudhe të gjatë pauze nga ana e tij. Lidhur me këtë mungesë, vetë autori është shprehur:

Interesante është se edhe gjatë këtyre viteve zyrtarisht pa botuar, poezi të reja me emrin tim kanë dalë periodikisht në qarkullim, flas për sa kam mundur të has në faqe gazetash letrare interneti. Si thotë gjatë një interviste tashmë virale një qytetar i Kosovës, të cilit i kishin vjedhur votën (“Ma kanë votu’ votën!”), kam parë dhe unë në vite, shpesh me një lloj kënaqësie, sesi ma kanë shkruar poezinë bota, e ma kanë shumëfishuar pastaj nëpër internet. Të prek fakti që dikush, individ a komitet, për gallatë a me seriozitet, ka marrë frymë thellë e ka vendosur të mbushë mungesën time me vargje në publik, qofshin ato dhe parodi sarkastike. Dhe kur sajojnë një, s’ka gjë, por më shumë bëhet vërtet shumë, aq sa kupton pastaj që do marrë pak nën kontroll situata; dhe sikur vetëm kjo urgjencë do të mjaftonte për të kuptuar se është mbushur kupa, toka i takon atij që e punon: “publiku” ka marrë peng poetin: ka ardhur koha për libër të ri.

“Transkript nga krevati tjetër” është nga ata libra që mund ta rishfletosh shpesh, si një manual për të gjetur vargjet e çdo stine. Ky vëllim ka brenda diçka prej errësirave më të thella vetëm se brenda saj ka dhe rrugë prej nga të dalësh.